Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Rahovec, i dyshuar për marrje ryshfeti nga pronarë të bizneseve në këmbim të moskryerjes së kontrolleve apo mosndëshkimit për shkelje të ligjit.
Sipas Policisë, rasti është hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Gjakovë, në bashkëpunim me njësi të tjera policore dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë.
Nga hetimet, policia thotë se ka siguruar dëshmi se i dyshuari, në periudha dhe lokacione të ndryshme në zonën e Rahovecit, dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të bizneseve.
Në disa raste të ndara, ai dyshohet se ka pranuar shuma prej 300 deri në 500 euro, me qëllim të përfitimit pasuror për vete apo për persona të tjerë.
Policia bën të ditur se sot më 24 shtator, me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe në koordinim me prokurorin përgjegjës, janë kontrolluar ambienti i punës dhe automjetet që i dyshuari kishte në shfrytëzim.
“Me të gjitha veprimet e kryera, personi i dyshuar ka konsumuar veprën penale ‘marrja e ryshfetit’, neni 421 i KPRK-së”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Gjatë veprimeve policore, atij i është sekuestruar edhe një telefon celular.


