Taylor Swift kishte vetëm një ditë që kishte ndezur kuriozitetin e fansave me lajmin për këngën e re “Patient Zero”, por tashmë surpriza është shumë më e madhe.
Këngëtarja ka njoftuar rikthimin e epokës “The Life of a Showgirl” me një version të zgjeruar të albumit, të titulluar “The Life of a Showgirl: The Encore”, i cili do të sjellë katër këngë krejtësisht të reja. Publikimi është planifikuar për të premten, më 25 shtator.
Në mesin e këngëve të reja është edhe “Patient Zero”, singëlli që Swift e kishte paralajmëruar vetëm një ditë më parë. Tre këngët e tjera janë “Cleveland!”, “Pink Clouding” dhe “Babylon”.

Lajmin Swift e ndau me fansat përmes rrjeteve sociale, duke shpjeguar se këngët e reja lindën krejt papritur gjatë një udhëtimi në Suedi me bashkëpunëtorët e saj, Max Martin dhe Shellback.
Rreth një vit më parë, ju bëtë diçka vërtet të pabesueshme. Diçka që më la pa fjalë… Ju i dhatë ‘The Life of a Showgirl’ javën e parë më të madhe të një albumi në histori
-shkroi Swift, duke iu referuar pritjes së jashtëzakonshme që pati albumi.
Ajo tregoi se kishte udhëtuar në Suedi me Martin dhe Shellback për të festuar këtë arritje, por gjithçka mori një drejtim tjetër kur pranë tyre ishte një studio regjistrimi.
Në të vërtetë, thjesht donim të reflektonim dhe të përjetonim mirënjohjen për momentin në të cilin ndodheshim, por aty kishte një studio dhe ne bëmë atë që bëjmë kur ndiejmë diçka: shkruam më shumë këngë
-rrëfeu këngëtarja.
Swift zbuloi gjithashtu se këngët e reja kanë lindur pikërisht nga mirënjohja për fansat dhe mënyrën se si ata e pritën albumin.
Shpresoj t’i doni, sepse ato lindën nga mirënjohja e pastër për entuziazmin tuaj dhe për mënyrën se si e festuat albumin që krijuam. ‘The Life of a Showgirl: The Encore’, me katër këngët e reja, publikohet të premten
-shkroi ajo.
“The Life of a Showgirl” u publikua në vitin 2025 dhe versioni origjinal përmban 12 këngë. Mes tyre janë “The Fate of Ophelia”, “Elizabeth Taylor”, “Opalite”, “Father Figure”, “Eldest Daughter” dhe kënga titull, “The Life of a Showgirl”, në bashkëpunim me Sabrina Carpenter. Versioni i ri e çon listën në 16 këngë.
Rikthimi vjen si një surprizë për fansat, veçanërisht pas gjithë misterit të krijuar rreth “Patient Zero”. Vetëm një ditë para njoftimit për “Encore”, Swift kishte zbuluar se kënga e re do të publikohej më 25 shtator, pas një serie të dhënash misterioze në faqen e saj dhe në rrjetet sociale.
Dhe fansat nuk do të duhet të presin gjatë. “The Life of a Showgirl: The Encore” publikohet më 25 shtator, duke sjellë katër këngë të reja dhe duke zgjatur edhe më tej epokën e albumit të 12-të të Swift.


