Kat Dennings kishte vetëm pak kohë që kishte nisur serialin “2 Broke Girls” kur u përball me një skenë që nuk dëshironte ta xhironte. Në vend që të heshtte, aktorja vendosi të fliste hapur, dhe një fjali e vetme mjaftoi që skena të hiqej nga episodi.
Duke rikujtuar fillimet e saj në serial, Dennings tregoi në një video të publikuar në TikTok se gjatë sezonit të parë ose të dytë kishte një skenë ku personazhet Max dhe Caroline, të interpretuara nga ajo dhe Beth Behrs, duhej të shfaqeshin vetëm me reçipeta dhe të vraponin nëpër apartament.
Ishte një skenë ku Max dhe Caroline janë me reçipeta
-kujtoi aktorja, duke shpjeguar se e gjithë skena ishte ndërtuar rreth faktit që dy personazhet të ishin vetëm me reçipeta.
Në atë periudhë, Dennings pranoi se nuk kishte shumë ndikim në produksion për të vendosur kufij.
Unë nuk isha dikush që mund të thoja shumë në atë kohë , ‘Nuk dua ta bëj këtë’
-tha ajo, duke kujtuar se ishin të reja dhe ndiheshin me fat që ishin pjesë e një seriali të suksesshëm.
Por pas leximit të skenarit, aktorja vendosi të fliste me krijuesin dhe showrunner-in e serialit, Michael Patrick King.
Sipas Dennings, ajo iu drejtua drejtpërdrejt:
Do më duhet që ta hiqni skenën e reçipetave, ose të shfaqemi me rroba gjatë skenës
King, sipas rrëfimit të saj, i tha se pikërisht kjo ishte skena e parashikuar në skenar.
Përgjigjja e Dennings ishte e shkurtër dhe e prerë:
Nuk më paguani mjaftueshëm për një skenë me reçipeta
Dhe rezultati? Skena u hoq.
Vite më vonë, aktorja e kujtoi këtë episod jo thjesht si një histori nga prapaskenat e “2 Broke Girls”, por si një mësim për vetëbesimin dhe vendosjen e kufijve.
Kurrë mos e nënvlerësoni veten, është morali i historisë
-tha Dennings, duke shtuar me humor se, edhe pse ajo nuk mendonte se po paguhej mjaftueshëm për atë skenë, “nuk mendoj se askush mund të paguhej mjaftueshëm” për të.
Aktorja ka folur edhe më parë për presionet që kishte përjetuar që në fillimet e karrierës, veçanërisht për komentet mbi pamjen e saj gjatë audicioneve kur ishte ende adoleshente. Ajo ka treguar se kishte dëgjuar kritika të ashpra për trupin dhe pamjen, por këto përvoja nuk e penguan të vazhdonte karrierën.
“2 Broke Girls”, ku Dennings interpretoi Max Black përkrah Beth Behrs, u transmetua në CBS nga viti 2011 deri në 2017 dhe u bë një prej sitcom-eve të njohura të asaj periudhe.
Sot, duke e parë atë histori nga një distancë prej vitesh, Dennings duket se e sheh vendimin e saj si një kujtesë të thjeshtë: edhe kur je në fillimet e karrierës dhe mendon se nuk ke shumë fuqi për të thënë “jo”, nuk duhet ta nënvlerësosh veten.


