Princi Harry mund të rikthehet te historia e nënës së tij, Princeshës Diana, me një projekt të ri televiziv që pritet të lidhet me një prej përvjetorëve më të rëndësishëm të familjes mbretërore.
Duka i Sussex-it thuhet se po shqyrton mundësinë e realizimit të një dokumentari për Dianën, në prag të 30-vjetorit të vdekjes së saj, i cili do të shënohet më 31 gusht 2027. Lajmi është raportuar nga “The Telegraph” dhe është konfirmuar nga burime të tjera ndërkombëtare.

Sipas raportimeve, Harry ka diskutuar disa projekte të mundshme për të nderuar trashëgiminë e nënës së tij dhe dokumentari është një prej ideve që po merret në konsideratë.
Duka ka diskutuar një numër të mundshëm projektesh për 30 vjetorin e nënës së tij, Diana, vdekjen e Princeshës së Uellsit.
-ka deklaruar një burim pranë princit, duke shtuar se “asgjë nuk është finalizuar apo konfirmuar”.
Në kuadër të përgatitjeve, Harry raportohet se ka kontaktuar edhe disa prej miqve dhe të afërmve të Dianës, për të parë nëse do të ishin të gatshëm të merrnin pjesë në një projekt të tillë. Mes personave të kontaktuar përmendet edhe vëllai i Dianës, Charles Spencer.
Nëse projekti realizohet, ai mund të prodhohet përmes Archewell Productions, kompanisë së themeluar nga Harry dhe Meghan Markle. Raportimet sugjerojnë gjithashtu se Netflix mund të jetë një destinacion i mundshëm për dokumentarin, për shkak të marrëveshjes “first-look” që ekziston mes platformës dhe kompanisë së çiftit.

Por lajmi vjen në një moment veçanërisht interesant. Vetëm pak ditë më parë është publikuar libri i ri i Charles Spencer, “Swan Song: Diana, My Sister”, në të cilin ai rikthehet te marrëdhënia me motrën e tij dhe te vitet e saj brenda familjes mbretërore.
Spencer ka shpjeguar se preferoi të tregonte vetë versionin e tij të historisë, në vend që të shfaqej si një intervistues në një tjetër produksion televiziv për Dianën. Në librin e tij ai shkruan se kishte marrë kërkesa të shumta për të marrë pjesë në dokumentarë rreth motrës së tij.
Harry, ndërkohë, nuk është i panjohur me dokumentarët për nënën e tij. Në vitin 2017, ai dhe Princi William u shfaqën së bashku në dokumentarin “Diana, Our Mother: Her Life and Legacy”, ku folën për kujtimet e tyre personale dhe ndikimin që humbja e Dianës pati tek ata.
Diana vdiq më 31 gusht 1997, në moshën 36-vjeçare, pas një aksidenti automobilistik në Paris. Harry ishte vetëm 12 vjeç, ndërsa William 15. Tani, tre dekada më vonë, kujtimi i saj pritet të rikthehet edhe një herë në qendër të vëmendjes, ndërsa Harry po shqyrton mënyrën se si ta nderojë trashëgiminë e saj.
Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar se dokumentari do të realizohet. Projekti është ende në fazën e diskutimeve dhe Harry raportohet se po shqyrton disa mënyra të ndryshme për të shënuar 30-vjetorin e vdekjes së nënës së tij.


