Maqedonia e Veriut po pret prej shumë kohësh përparim në procesin e integrimit evropian, ndërsa vazhdimi i ngecjes dëmton edhe interesat strategjike të Bashkimit Evropian në rajon. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm çek, Petr Macinka, në takimin e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” në Nju Jork.
“Maqedonia e Veriut po pret shumë gjatë. Vazhdimi i stagnimit nuk është vetëm problem i saj, por minon edhe interesat strategjike të BE-së në rajon”, tha Macinka.
Ai kërkoi angazhim më konkret për identifikimin dhe tejkalimin e pengesave në procesin eurointegrues, duke theksuar se zgjerimi duhet të jetë i drejtë, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita.
Sipas tij, vendet kandidate duhet të vazhdojnë reformat dhe përmbushjen e detyrimeve, ndërsa BE-ja duhet të sigurojë një proces të besueshëm anëtarësimi.
Macinka theksoi se anëtarësimi i plotë në BE duhet të mbetet qëllimi përfundimtar për vendet e Ballkanit Perëndimor.


