Granit Xhaka ka pranuar se kishte siguruar një certifikatë vaksinimi kundër COVID-19, ndërsa ndaj tij është duke u zhvilluar një hetim nga Prokuroria e Luzernit.
Hetimi u bë publik nga “Blick”, i cili raportoi se Xhaka dyshohet se kishte siguruar certifikata të falsifikuara të COVID-19. Kapiteni i Zvicrës pritet të merret në pyetje nga autoritetet në fillim të tetorit.
Megjithatë, para marrjes në pyetje, Xhaka ka reaguar publikisht përmes një deklarate në Instagram, duke pranuar se kishte siguruar certifikatën e vaksinimit.
“Në ditët e fundit është raportuar shumë për një çështje nga e kaluara ime. Dua ta trajtoj personalisht këtë çështje”.
“Sa i përket vaksinimit kundër COVID-19, në atë kohë isha personalisht shumë i pasigurt dhe kisha shqetësime serioze. Kisha një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i mbushur me frikë dhe pasiguri”.
“Në këtë gjendje të trazuar emocionale, sigurova një certifikatë vaksinimi, në vend që t’i sqaroja pyetjet e mia përmes kanaleve të duhura”.
“Sot e kuptoj qartë se kjo ishte qasje e gabuar. Ishte një gabim. Më vjen keq”.
“Marr përgjegjësinë për këtë vendim, jam i përkushtuar që çështja të hetohet dhe po bashkëpunoj plotësisht me autoritetet përkatëse”, thuhet në deklaratën e plotë të kapitenit të Zvicrës.

Përndryshe, edhe Federata Zvicerane e përjashtoi nga ekipi kombëtar derisa të zgjidhet situata./Telegrafi/


