Pas një mungese prej tetë vitesh, Shakira është rikthyer në skenat e Spanjës dhe këtë herë nuk ka zgjedhur një koncert të vetëm për rikthimin e saj.
Ylli kolumbian ka nisur në Madrid një seri prej 12 koncertesh, me të cilat do të përmbyllë turneun e saj botëror “Las Mujeres Ya No Lloran World Tour”. Koncerti i parë u mbajt më 18 shtator, ndërsa rezidenca do të vazhdojë derimë 11 tetor.

Rikthimi i saj në Spanjë vjen tetë vjet pas performancës së fundit në vend, gjatë turneut “El Dorado World Tour” në vitin 2018. Tashmë, Shakira është rikthyer me një produksion shumë më të madh, në një stadium të përkohshëm të ndërtuar posaçërisht për koncertet e saj.
Koncertet po zhvillohen në “Iberdrola Music”, në Villaverde, ku është ngritur posaçërisht “Estadio Shakira”, me kapacitet për më shumë se 50 mijë spektatorë për çdo mbrëmje.

Por eksperienca nuk kufizohet vetëm te koncerti. Përkrah stadiumit është krijuar edhe “Macondo Park”, një hapësirë kulturore e frymëzuar nga qyteti imagjinar i krijuar nga shkrimtari kolumbian Gabriel García Márquez. Aty organizohen aktivitete të ndryshme që lidhen me muzikën, kulturën, gastronominë, letërsinë dhe artin latin.
Shfaqja e Shakirës zgjat më shumë se dy orë dhe përfshin ndryshime të shumta kostumesh, koreografi, efekte vizuale, ndriçim dhe piroteknikë. Repertori ndërthur këngët e saj të reja me disa prej hiteve që kanë shoqëruar karrierën e saj prej dekadash.

Rezidenca është shpërndarë në katër fundjava radhazi: 18, 19 dhe 20 shtator; 25, 26 dhe 27 shtator; 2, 3 dhe 4 tetor; si dhe 9, 10 dhe 11 tetor.
Çdo koncert pritet të tërheqë dhjetëra mijëra njerëz. Sipas planit të mobilitetit të Bashkisë së Madridit, rreth 57 mijë persona pritet të marrin pjesë në secilën prej mbrëmjeve të koncertit.
Me këtë seri koncertesh, Shakira nuk po feston thjesht rikthimin në një prej vendeve ku ka një lidhje të fortë me publikun. Madrid është zgjedhur edhe si pika ku do të mbyllet turneu “Las Mujeres Ya No Lloran”, duke i dhënë një finale të madhe një prej kapitujve më të rëndësishëm të karrierës së saj të viteve të fundit.
Dhe me mijëra fansa që pritet të kalojnë nëpër “Estadio Shakira” gjatë katër javëve, rikthimi i këngëtares në Spanjë është kthyer në një prej ngjarjeve më të mëdha muzikore të këtij viti në Madrid.


