Kostot e huamarrjes për qeveritë kanë arritur nivelet më të larta që prej krizës financiare të vitit 2008, me rendimentet e obligacioneve 10-vjeçare amerikane tashmë mbi 5%, duke shtuar presionin mbi huamarrësit me borxhe të larta, të cilët deri tani janë mbrojtur nga rritja e qëndrueshme ekonomike.
Rendimenti mesatar 10-vjeçar për vendet e Grupit të Shtatë ekonomive më të mëdha të botës (G7) arriti në 4.285%, niveli më i lartë që prej mesit të vitit 2008 dhe plot një pikë përqindjeje më shumë se niveli ku ndodhej përpara nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme.
Zgjerimi i konfliktit ka rikthyer çmimin e naftës mbi 100 dollarë për fuçi, duke rritur presionin mbi bankat qendrore për të shtuar normat e interesit me qëllim frenimin e inflacionit, një nga arsyet kryesore që po nxisin rritjen e rendimenteve të obligacioneve.
Tregjet monetare presin që Rezerva Federale amerikane të rrisë normat e interesit për herë të parë që prej vitit 2023 ditën e mërkurë, ndërsa Banka e Japonisë pritet të bëjë një rritje të premten. Banka Qendrore Europiane rriti normat javën e kaluar dhe mund të vijojë me një seri të tjera rritjesh gjatë muajve të ardhshëm.
Shitjet në tregun e obligacioneve kanë rritur koston e huamarrjes së re për qeveritë, por gjithashtu kanë shtuar faturën e interesave, duke devijuar fonde nga programet sociale, mbrojtja dhe fusha të tjera. Kjo ka rikthyer pikëpyetjet mbi qëndrueshmërinë e niveleve aktuale të borxhit publik.
“Rendimentet 5% nuk janë problem nëse ekonomia rritet me 6.5%. Por nëse rritja ekonomike është 5% dhe rendimentet janë 5%, atëherë situata mund të jetë ndryshe”, tha Samy Chaar, kryeekonomist në Lombard Odier.
Rritja e rendimentit të obligacioneve amerikane 10-vjeçare mbi 5% është një problem për huamarrësit sovranë dhe korporatat në të gjithë botën, pasi ky tregues shërben si pikë referimi për pothuajse të gjitha asetet e tjera në tregjet financiare.
Ndërsa ekonomia amerikane mund të ketë një ritëm rritjeje të mjaftueshëm për të përballuar norma huamarrjeje mbi 5% për 10 vite, vende të tjera janë më pak të përgatitura për një situatë të tillë.
Mungesa e qartësisë
Një tjetër problem me të cilin po përballen investitorët është qëndrimi i kryetarit të ri të Rezervës Federale, Kevin Warsh, kundër udhëzimeve paraprake për politikën monetare, çka ka rritur pasigurinë dhe luhatshmërinë në tregje. Investitorët janë më pak të gatshëm t’u japin politikëbërësve kohë dhe besim.
“Të gjitha bankat qendrore tani po ndjekin një epokë të re pa udhëzime paraprake, duke u përqendruar vetëm në ndërtimin e besimit. Por, siç mund të shihni në tregjet e obligacioneve, kjo aktualisht nuk po funksionon”, tha Shriya Samarth, drejtuese e normave të interesit për rajonin EMEA në kompaninë e tregjeve StoneX.
“Ka shpenzimet kapitale për inteligjencën artificiale që po ndryshojnë situatën. Ka shqetësimet fiskale. Borxhi amerikan tashmë është 40 trilionë dollarë. Nivelet historikisht të larta të raportit borxh/PBB në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Eurozonë po e ndërlikojnë më tej situatën”, shtoi ajo.
Yield-i i obligacioneve amerikane 10-vjeçare arriti një kulm 5.041% të martën, niveli më i lartë që prej vitit 2007, ndërsa tregtarët prisnin dëshminë e sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, përpara Kongresit.
Tregjet globale të aksioneve janë rritur ndjeshëm këtë vit, të udhëhequra nga kompanitë që ndërtojnë, furnizojnë dhe përdorin teknologjitë e inteligjencës artificiale. Ky bum ka sjellë një rritje të fortë të investimeve kapitale dhe huamarrjes, por edhe të fitimeve.
Rritja e rendimenteve të obligacioneve mund të mos jetë e mjaftueshme për të zbehur faktorët pozitivë që po mbështesin aksionet, por gjithsesi përbën një rrezik, tha Khoon Goh, drejtues i kërkimeve për Azinë në ANZ në Singapor.
“Nëse yield-et vazhdojnë të rriten, atëherë patjetër që do të ketë efekte të mëtejshme përhapëse”, tha ai.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka ndërhyrë në tregje në mënyra të ndryshme gjatë javëve të fundit për të kufizuar rritjen e rendimenteve afatgjata, përfshirë ndërhyrje të përbashkëta për blerjen e jenit, me qëllim frenimin e shitjeve të bonove amerikane nga qeveria japoneze, si dhe rritjen e vëllimit të letrave me vlerë që qeveria do të riblerë, por pa shumë sukses.
Një pjesë e shitjeve të obligacioneve këtë javë, sipas Goh nga ANZ, lidhet gjithashtu me ndryshimin e pritshmërive për normat afatshkurtra të interesit në SHBA.
Rendimenti i obligacioneve japoneze 10-vjeçare kaloi mbi 3%, duke arritur nivelin më të lartë në tre dekada.
Në Gjermani, rendimenti i obligacioneve 10-vjeçare qëndroi pranë nivelit më të lartë që prej vitit 2009, në 3.55%, ndërsa rendimentet franceze 10-vjeçare ishin pranë nivelit më të lartë të 18 viteve. Në Mbretërinë e Bashkuar, rendimenti i obligacioneve 10-vjeçare arriti 5.45%, niveli më i lartë që prej vitit 2007.
Kostoja e sigurimit të borxhit sovran amerikan kundër rrezikut të mospagimit, e reflektuar nga kontratat e kreditit (credit default swaps), ka rënë në nivelin më të ulët që prej shkurtit, për shembull.
Politika e kombinuar ekonomike është shumë lehtësuese për të sjellë një inflacion të qëndrueshëm prej 2%. Kjo, me një fjali, është arsyeja kryesore e dobësisë aktuale në tregun e obligacioneve. / Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.


