Dy persona të dyshuar për prerje dhe vjedhje të paligjshme të drurit janë arrestuar në fshatin Bansko të Strumicës, pasi dyshohet se kanë sulmuar zyrtarë policorë gjatë një kontrolli.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, incidenti ka ndodhur më 13 shtator, rreth orës 12:30. Gjatë kontrollit, njëri prej të dyshuarve ka nisur automjetin dhe ka goditur një polic të Frontex-it nga Polonia, e më pas edhe një traktor të drejtuar nga një banor lokal.
Policia ka reaguar menjëherë dhe ka neutralizuar e arrestuar të dy personat, të cilët janë kapur në flagrancë.
Zëvendësdrejtori i “Pyjeve Kombëtare”, Kire Mihajlov, publikoi pamje nga arrestimi, duke paralajmëruar se sulmet ndaj zyrtarëve dhe shkelja e ligjit duhet të kenë pasoja.
Mihajlov kujtoi edhe raste të mëparshme të sulmeve ndaj punonjësve të pyjeve, përfshirë një incident në Bansko në vitin 2014, kur një roje pylli ishte plagosur rëndë, si dhe raste të tjera në Çashkë dhe rajonin e Shtipit.
Ai theksoi se dënimet e larta kanë bërë që sulmet ndaj zyrtarëve gjatë kryerjes së detyrës të jenë më të rralla.
“Herët a vonë, njësoj si në këtë video, do t’i gjejë e njëjta gjë të gjithë ata që nuk e respektojnë ligjin”, deklaroi Mihajlov.
Ai shtoi se punonjësit e MPB-së dhe institucioneve të tjera vazhdojnë ta kryejnë detyrën në mënyrë profesionale dhe të përgjegjshme.


