Sydney Sweeney është sërish në qendër të një debati të madh, këtë herë për shkak të një reklame të re për platformën sportive Novig, ku aktorja shfaqet e zhveshur, duke përdorur topa dhe pajisje të ndryshme sportive për të mbuluar trupin.

Ajo që kompania synonte si një fushatë provokuese dhe me humor ka shkaktuar reagime të forta nga disa prej emrave më të njohur të sportit, të cilët akuzojnë reklamën se seksualizon gratë në sport dhe zhvendos vëmendjen nga puna e tyre te trupi dhe pamja fizike.
Në reklamë, Sweeney shfaqet në situata të ndryshme sportive, ndërsa përdor topa futbolli, pajisje mbrojtëse, një kosh basketbolli dhe elemente të tjera për të mbuluar pjesët intime. Mesazhi i Novig është se platforma merret vetëm me sportin dhe jo me politikën apo tema të tjera.

Por për shumë sportiste, problemi qëndron pikërisht te mënyra se si është zgjedhur të përcillet ky mesazh.
Një nga reagimet më të ashpra erdhi nga notarja australiane Ariarne Titmus, katër herë kampione olimpike, e cila e kritikoi publikisht fushatën.
Nuk mund ta përshkruaj dot sa e zemëruar ndihem kur e shoh këtë
-shkroi Titmus.
Ajo argumentoi se reklama është fyese për gratë që kanë kaluar vite duke punuar për të arritur majat në sport.
Nuk është vetëm një shuplakë për çdo grua që i ka kushtuar jetën përsosjes së aftësive të saj, por edhe për çdo grua që e do sportin për atë që është në të vërtetë, puna në ekip, miqësia, përkushtimi, përsosmëria dhe uniteti
-shkroi ajo.
Titmus ngriti edhe një pyetje që ndezi më tej debatin:
Si jetojmë në një botë ku monetizimi i trupit të një gruaje dhe seksualizimi i sportit të femrave është ende diçka e mundur?
Në të njëjtën linjë reagoi edhe atletja britanike Amy Hunt, e cila iu drejtua drejtpërdrejt Sweeney-t pas garës së saj në 200 metra.
Sydney Sweeney, kjo është ajo se si duken gratë në sport
-tha Hunt, duke theksuar se pas sportit të femrave qëndrojnë muskujt, puna e palodhur, djersa, sakrificat dhe vitet e stërvitjes.
Edhe gjimnastja Gracie Kramer publikoi video nga aktiviteti i saj sportiv, duke shkruar:
Nuk e di çfarë po bënte Sydney Sweeney, por kjo është ajo se si duket një grua në sport.
Reagime të ngjashme erdhën nga sportiste të tjera, përfshirë Lani Pallister, Bree Rizzo dhe boksieren kampione bote Skye Nicolson. Kjo e fundit bëri një dallim të qartë mes të qenit seksi si rezultat i sportit dhe përdorimit të seksualitetit për të shitur sportin.
Ka një ndryshim të madh mes të dukesh ‘seksi’ sepse merresh me sport dhe përdorimit të seksit për të shitur ‘sportin’
-shkroi Nicolson.
Ndërkohë, Sweeney duket se ka zgjedhur të mos heshtë përballë kritikave. Aktorja publikoi në rrjetet sociale fotografi të sportisteve të njohura që kanë pozuar nudo ose pjesërisht të zhveshura për revista, mes tyre Serena Williams, Ronda Rousey, Sue Bird, Megan Rapinoe dhe Caroline Wozniacki.
Aktorja e ka mbrojtur më herët konceptin e reklamës, duke e cilësuar atë si “një ide shumë të thjeshtë dhe lozonjare”. Sweeney ka theksuar gjithashtu se ishte e përfshirë drejtpërdrejt në krijimin e fushatës dhe se nuk dëshiron të jetë thjesht një fytyrë që vendoset mbi një produkt.
Por ekziston edhe një detaj që e bën situatën edhe më interesante: Sweeney nuk është thjesht protagoniste e reklamës. Ajo është gjithashtu partnere strategjike dhe aksionere e Novig, çka do të thotë se ka interes të drejtpërdrejtë në suksesin e kompanisë.
Kështu, ajo që nisi si një reklamë provokuese për një platformë sportive është kthyer në një debat shumë më të gjerë: a po përdoret trupi i grave për të tërhequr vëmendje edhe kur produkti lidhet me sportin, apo një grua duhet të ketë të drejtën ta përdorë seksualitetin e saj si pjesë të imazhit publik pa u gjykuar?


