Moska është e gatshme të rifillojë negociatat me Kievin, por nuk pranon shpalljen e një armëpushimi paralelisht me bisedimet. Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
Në kuadër të samitit të BRICS në Nju Delhi, Lavrov deklaroi se Rusia po tregon vullnet të mirë dhe mbetet e gatshme për negociata me Ukrainën.
“Ne mbetemi të gatshëm për negociata, por operacioni ushtarak nuk do të pezullohet gjatë zhvillimit të tyre”, tha Lavrov.
Kreu i diplomacisë ruse përsëriti gjithashtu ftesën që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të udhëtojë në Rusi për një takim.
“Nëse dëshiron të vijë, le të vijë”, tha Lavrov, duke e cilësuar këtë si një tjetër “gjest të madh vullneti të mirë” nga Moska.
Zelensky e ka kundërshtuar më herët në mënyrë të prerë këtë ide, të propozuar nga presidenti rus Vladimir Putin.
Edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, këmbënguli se Zelensky duhet të udhëtojë në Moskë nëse dëshiron realisht të takohet me Putinin.
Deklarata u bë në Nju Delhi, në përgjigje të spekulimeve për një takim të mundshëm mes dy liderëve në kuadër të samitit të G20 në Miami, në dhjetor.
Ukraina nuk është anëtare e G20.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po përpiqen sërish të nxisin rifillimin e negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës, rreth katër vjet e gjysmë pas nisjes së luftës.
Së fundmi janë shtuar edhe skenarët për një samit trepalësh, që mund të organizohet nga presidenti amerikan Donald Trump.


