Pas anulimi të seancës së të premtes, është paralajmëruar të anulohet edhe seanca e së mërkurës për rastin “Lotaria Shtetërore”, thonë nga Gjykata Penale në Shkup. Kjo për arsye se i dyshuari i parë Përparim Bajrami është vetëdorëzuar më 9 shtator dhe rrjedh afati ligjor tetëditor për ankesë të aktakuzës që është ngritur ndaj tij dhe 7 të akuzuarave të tjerë. Ndaj ish-drejtorit të Lotarisë në Prokurorinë Themelore Publike janë edhe 4 procese të tjera me dyshime për të njëjtën vepër penale.
“Procedura gjyqësore në të cilën ai akuzohet për Vepër Penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtar sipas nenit 353 të Kodit Penal është në vazhdim. Përveç kësaj, kundër tij po zhvillohen edhe katër procedura të tjera në Prokurorinë Themelore Publike Shkup për të njëjtën vepër penale, në të cilën po mblidhen prova dhe po kryhen ekspertiza”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
Pas gati dy viteve në arrati, ai është arrestuar në vendkalimin kufitar të Bllacës pas vetëdorëzimit dhe është çuar drejt burgut të Shutkës në Shkup për të mbajtur masën e paraburgimit, të cilën gjykata ia caktoi në mungesë. Pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria thonë se edhe kundër të akuzuarit të parë Bajrami do të zhvillohet procedurë gjyqësore me prezencë të tij, pasi tani janë siguruar të gjithë të dyshuarit në rastin “Lotaria”.
“Seancat për rastin “Lotaria” janë shtyrë, pasi i pandehuri i parë është paraqitur në Burgun e Shkupit.
Për këtë arsye, gjykata, i dha të pandehurit një kopje të aktakuzës në mënyrë që ai të njihet me të, dhe duke pasur parasysh se afati ligjor për shqyrtimin e aktakuzës dhe provave është 8 ditë, seancat e planifikuara për 11 dhe 16 shtator anulohen dhe gjykimi do të vazhdojë më 18 shtator në orën 12:00″, thojnë nga Gjykata Themelore Penale – Shkup.
Përveç Bajramit dhe ish zëvendëskryeministrit Artan Grubi, akuzohet edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, si dhe 5 anëtarë të Bordit mbikëqyrës të Lotarisë shtetërore me akuzën për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, për të cilën parashihet dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet. Prokuroria e zhvilloi hetimin për veprën penale “Mashtrim në shërbim” për të cilën parashihej dënim me burg prej 4 deri në 20 vjet, megjithatë propozim – akuzën e dorëzoi për vepër tjetër penale që parashikon dënim më të butë, përkatësisht 1 deri në 5 vjet burg.
Sipas aktakuzës së hetuesisë, ata akuzohen se gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke tejkaluar kompetencat zyrtare, i kanë shkaktuar dëm SH.A. “Lotaria Shtetërore” në vlerë prej 596.125.511 denarësh, apo rreth 9.7 milionë euro duke bërë furnizime të jashtëligjshme të aparateve të kumarit, të cilat asnjëherë nuk u përdorën për lojërat elektronike të fatit.


