Të paktën 44 persona kanë mbetur të plagosur pasi një tren doli nga shinat mbrëmjen e së premtes në Francë. Në tren ndodheshin gjithsej 186 pasagjerë.
Aksidenti ndodhi rreth orës 19:45, në territorin e komunës Cleon.
Mes të plagosurve, një vajzë 18-vjeçare u transportua me urgjencë me helikopter drejt Spitalit Universitar të Ruenit, pasi ndodhet në gjendje të rëndë. 43 persona të tjerë morën ndihmë mjekësore dhe fatmirësisht nuk kanë lëndime serioze, sipas AFP.
Në vendngjarje u mobilizuan 130 zjarrfikës, pesë ekipe mjekësore dhe rreth 80 automjete.
Policia gjyqësore e Ruenit ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Testet e alkoolit dhe lëndëve narkotike ndaj drejtuesit të trenit rezultuan negative.
Një prej pasagjerëve, 24-vjeçari Louis, tregoi për mediat franceze momentet e aksidentit. Ai tha se fillimisht treni pësoi disa lëkundje, të cilat brenda pak sekondash u bënë gjithnjë e më të forta. Sipas tij, xhamat e trenit u thyen pjesërisht dhe gurët nga shinat hynë brenda vagonit.
Dalja e trenit nga shinat shkaktoi ndërprerje dhe vonesa të mëdha në trafikun hekurudhor në linjat Ruen-Kaen dhe Kaen-Le Havër, në të dyja drejtimet.


