Maqedonia nga sot, bëhet pjesë e Korridorit Vertikal të Gazit, së bashku me Greqinë, Serbinë, Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Sllovakinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, njoftoi se do të nënshkruhet Memorandum Mirëkuptimi për anëtarësimin në këtë projekt. Po punohet intensivisht për ndërtimin e interkonektorit me Greqinë dhe lidhjen me Serbinë. Pritet që deri në fund të vitit të ardhshëm vendi të jetë i gatshëm për transitin e gazit. Me lidhjet e reja, Maqedonia do të sigurojë burime alternative të furnizimit me gaz nga Aleksandrupoli dhe Revithoussa. Qëllimi është që vendi të shndërrohet në qendër rajonale për furnizimin me gaz natyror. Ministrja ndodhet në Selanik, ku po merr pjesë në Samitin e Energjisë të Evropës Juglindore.
“Edhe ne do t’i bashkohemi Korridorit Vertikal. Çfarë do të thotë kjo? Deri më tani ishte parashikuar që ai të shtrihej nga Greqia përmes Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë, Sllovakisë, deri në Moldavi dhe Ukrainë, ndërsa nga sot edhe ne dhe Republika e Serbisë do të përfshihemi në këtë projekt energjetik.
Po punojmë intensivisht për interkonektorin me Greqinë, si dhe për lidhjen e interkonektorit me Serbinë. Kjo do të thotë se deri në fund të vitit të ardhshëm duhet të jemi të gatshëm që përmes vendit tonë të mund të ketë transit të gazit dhe, natyrisht, sasi të rritura, në mënyrë që të mos kemi vetëm një pikë lidhjeje. Kjo do të thotë se do të kemi edhe një kufi të dytë nga ku do të mund të furnizohemi me LNG”, tha Sanja Bozhinovska – ministre e Energjetikës.


