Prokuroria sot ka dhënë detaje shtesë në lidhje me skemën e dyshuar për përvetësim dhe pastrim parash, përmes një kompanie nga Kuçevishta, e cila merret me kontrollin teknik të automjeteve, përcjell TV21. Për tre të dyshuar, Prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit, ndërsa për një tjetër ka kërkuar masa kujdesi. Vendimin për masat duhet ta marrë gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup.
Në lidhje me: Dyshime se përvetësuan mbi 2 milionë euro nga tarifat e regjistrimit të automjeteve, tre të arrestuar pas aksionit në Shkup
Sipas Prokurorisë, nga janari i vitit 2021 deri në janar të vitit 2026, dyshohet se janë përvetësuar mbi 138.8 milionë denarë, shumë kjo që përkthehet në rreth 2.26 milionë euro.
“Sipas dëshmive të siguruara deri në këtë moment, në periudhën nga 1 janari 2021 deri më 20 janar 2026, i dyshuari i parë, me qëllim që për vete të përfitojë pasuri të kundërligjshme, ka përvetësuar 138.877.419 denarë, ndërsa të dyshuarit e tjerë me dashje i kanë ndihmuar në kryerjen dhe fshehjen e veprës penale”, thonë nga Prokuroria.
Dyshimet e Prokurorisë lidhen me tarifat që qytetarët paguanin gjatë regjistrimit të automjeteve. Administratori dyshohet se përgatiste raporte të rreme për shumat e arkëtuara dhe dokumente të pavërteta për pagesat e tarifave të rrugëve publike.
Paratë, sipas Prokurorisë, më pas kalonin në llogaritë e një kompanie për brokerim sigurimesh. Dy anëtarë ekzekutivë të bordit të drejtorëve dyshohet se kanë ditur, ose është dashur të dinin, se një pjesë e këtyre të ardhurave nuk buronte nga aktiviteti i sigurimeve.
Mjetet dyshohet se janë transferuar mes llogarive të kompanive të ndryshme, duke u përzier me të ardhurat nga aktiviteti i rregullt. Një pjesë e tyre, sipas Prokurorisë, është përdorur edhe për blerjen e pasurive të paluajtshme.
“Me qëllim të fshehjes së mjeteve monetare, tarifat e arkëtuara janë paguar në llogaritë e shoqërisë së brokerimit të sigurimeve. Anëtarët ekzekutivë të Bordit të Drejtorëve kanë ditur ose është dashur të dinin se një pjesë e të ardhurave rrjedhin nga arkëtimi i tarifave dhe jo nga veprimtaria e sigurimeve. Së bashku me anëtarin joekzekutiv të Bordit të Drejtorëve, ata i kanë transferuar mjetet ndërmjet llogarive të personave juridikë dhe i kanë përzier me të ardhurat nga puna e rregullt, ndërsa një pjesë është përdorur edhe për blerjen e pasurive të paluajtshme në favor të personit juridik.”
Në total, Prokuroria vlerëson se me veprimet që janë objekt i hetimit është shkaktuar dëm ndaj disa institucioneve dhe komunave, ndërsa përfitimi i dyshuar i kundërligjshëm arrin në 138.877.419 denarë.


