Pjesa më e madhe e studentëve në Maqedoni janë të regjistruar në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Për shkak të afërsisë dhe lidhjeve të mira të transportit, një numër i madh studentësh nga Kumanova udhëtojnë çdo ditë për studimet e tyre.
Studentët nga Tetova, në pjesën më të madhe, qëndrojnë në qytetin e tyre të lindjes, pasi Tetova është qendra e dytë më e madhe studentore në vend, me Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore, ku studiojnë rreth 8.000 studentë. Pavarësisht kësaj, një numër i konsiderueshëm i tetovarëve zgjedhin drejtime specifike, si shkencat mjekësore ose fakultetet teknike në UKIM në Shkup.
Ata që kanë vendosur të studiojnë në Shkup do të duhet të ndajnë më shumë para për biletën e autobusit. Nga 1 shtatori, bileta vajtje-ardhje deri në Kumanovë do të kushtojë 400 denarë, ndërsa deri në Tetovë 500 denarë.
Kështu, nëse bëjmë një llogari të thjeshtë për një student që udhëton nga Tetova në Shkup çdo ditë pune, pesë ditë në javë, dhe i ndjek rregullisht ligjëratat, në muaj do t’i nevojiten 10.000 denarë për biletat, ndërsa për një student nga Kumanova 8.000 denarë.
ÇMIMET E REJA TË BILETAVE:
KUMANOVË – SHKUP, VAJTJE-ARDHJE: 400 DENARË
TETOVË – SHKUP, VAJTJE-ARDHJE: 500 DENARË
STUDENTI QË UDHËTON 5 HERË NË JAVË:
KUMANOVË – SHKUP DHE ANASJELLTAS: 8.000 DENARË NË MUAJ
TETOVË – SHKUP DHE ANASJELLTAS: 10.000 DENARË
Transporti publik falas për studentët ekziston, por vetëm në territorin e Qytetit të Shkupit. Për transportin ndërqytetësh nuk është parashikuar një gjë e tillë. E pyetur nëse planifikohen subvencione për studentët që udhëtojnë drejt kryeqytetit, ministrja Janevska u përgjigj se kjo për momentin nuk është prioritet.
“Studentët kanë mundësi të regjistrohen në gjashtë universitete shtetërore dhe, siç jam e informuar, ata zgjedhin ato që u përshtaten më së shumti. Ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme është se ne duhet ta përmirësojmë cilësinë e arsimit, që do të thotë se duhet të kemi prioritete. Këto prioritete janë mësimi me një ndërrim dhe mësimi gjithëditor për më të vegjlit, ndryshimi i planeve dhe programeve mësimore në arsimin e lartë, miratimi i një ligji të ri për arsimin e lartë, e më pas, teksa do t’i zbresim prioritetet nga i pari drejt të fundit, do të kujdesemi edhe për çështjet e tjera”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Nëse shtrenjtimi i biletave është i arsyeshëm apo jo, do të verifikohet, të paktën kështu ka paralajmëruar kryeministri.
Gazetari: Sa i përket rritjes së çmimeve të transportit ndërqytetës, ka shumë reagime në rrjetet sociale, si dhe një peticion me të cilin u kërkohet institucioneve kompetente të rishikojnë nëse rritja e çmimeve është e arsyeshme…
Mickoski: Po, do ta rishikojnë…
Ndërkaq, nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, kur u bë e qartë se biletat do të shtrenjtoheshin, deklaruan se çmimet formohen sipas parimeve të tregut të lirë dhe se për momentin nuk ka bazë ligjore për kufizimin e tyre.


