Vazhdon saga e paraleles së klasës së parë në gjuhën shqipe në Shkollën fillore “Petar Zdravkovski” Penko në Butel të Shkupit. Në ditën e tretë të fillimit të vitit shkollorë, zëvendësministri i arsimit dhe shkencës Driton Sulejmani thirri mediat në konferencë për t’ju treguar disa të dhëna nga ditari elektronik. Sipas tij, edhe në vitin e kaluar shkollorë ka pasur vetëm katër paralele shqipe të klasës së parë në Penko, duke ardhur në përfundim se nuk ka mbyllje të paraleles së pestë.
“Kjo është tabela zyrtare e marr nga ditari elektronik në të cilën në klasën e parë vitin shkollorë 2025-2026 kanë figuruar 4 paralele me mësim në gjuhen shqipe. Kjo është tabela e 2026-2027 pas regjistrimit ku sërish figurojnë 4 paralele në gjuhën shqipe. Situata nuk ka ndryshuar dhe nuk kemi mbyllje të paraleles”, theksoi Driton Sulejmani, zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.
Kjo deklaratë hasi në reagime nga këshilltarët komunal shqiptar të AKI-së në Butel. Armend Murseli dhe Linkest Lumani para gazetarëve thanë se kjo është një gënjeshtër nga zëvendësministri Sulejmani. Ata pretendojnë që iu është bërë një e padrejtë nxënësve shqiptarë të zonës së Çairit, të cilët edhe pse e kanë shkollën matanë rrugës, e cila graviton në Butel, nuk iu lejohet regjistrimi në shkollë.
“Zëvendësministër a e kuptoni se çfarë dëmi u keni shkaktuar nxënësve shqiptarë në Komunën e Butelit? A e kuptoni se me deklaratën që e dhatë ditë më parë, jo vetëm që nuk e mbrojtët interesin e nxënësve shqiptarë por u pozicionuat në një linjë me qëndrimet e kryetarit të Butelit Darko Kostovski. Por kjo nuk na habit pasi mbyllja e sotme e paraleleve siç tregon historia jo e largët e shqiptarëve e Maqedonisë e keni trashëgimi”, deklaroi Linkest Lumani, Këshilltar i AKI-së në Komunën e Butelit.
Kjo çështje mori jehonë të madhe edhe në qarqet politike. Kreu i Komunës Darko Kostovski një ditë më parë tha se nuk ka të bëjë me çështje etnike por me vendimin për rajonalizim të optimizim të shkollave fillore komunale. Gjithashtu edhe Ministrja e arsimit Vesna Janevska tha se pas këshillimit me kreun e komunës, iu mundësua që nxënësve të klasave të para të Çairit të mund të regjistrohen në Penko, nëse kanë ndonjë vëlla apo motër fillorist në atë shkollë.
Sipas Sulejmanit si rezultat i marrëveshjes me Komunën e Butelit, në shkollën Penko janë regjistruar mbi 30 nxënës që gravitojnë në Çair.


