Cher i është drejtuar gjykatës në Los Angeles për të kundërshtuar kërkesën e nuses së saj, Marieangela King-Allman, për t’u emëruar kujdestare ligjore e djalit të këngëtares, Elijah Blue Allman.
Elijah, 50 vjeç, ndodhet aktualisht në një spital psikiatrik në New Hampshire, ku po merr trajtim, ndërsa përballet edhe me probleme ligjore dhe të shëndetit mendor, pas dy arrestimeve në fillim të këtij viti.
Marieangela King-Allman, 39 vjeç, kishte paraqitur më 18 gusht kërkesën për të marrë kontrollin ligjor mbi çështjet personale dhe pasurinë e bashkëshortit të saj. Cher e kundërshtoi kërkesën më 28 gusht, përmes avokatit të saj.
Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë, Cher pretendon se familja beson se Marieangela po përpiqet të rikthehet në jetën e Elijahut për shkak të parave dhe famës.

Sipas këngëtares, edhe spitali ku ndodhet Elijah, si dhe pjesëtarë të tjerë të familjes, janë kundër emërimit të Marieangelës si kujdestare e tij.
Një nga arsyet e përmendura është se çifti kishte nisur më herët procedurat e divorcit. Cher pretendon gjithashtu se Marieangela nuk e ka ndihmuar Elijahun apo kujdestaren e tij, Kayti Pease, gjatë periudhës kur ai po përballej me vështirësi, përpara arrestimit në New Hampshire.
Ndërkohë, në muajin korrik, spitali psikiatrik kishte kërkuar që për Elijah të caktohej një kujdestar ligjor, si për çështjet që lidhen me mirëqenien e tij personale, ashtu edhe për administrimin e pasurisë.
Sipas dokumenteve të Cher, spitali kishte sugjeruar që këtë përgjegjësi ta merrnin gjysmëvëllezërit e Elijahut, Chaz Bono dhe Devon Allman.
Seanca gjyqësore e planifikuar të mbahej të martën në Los Angeles është shtyrë deri më 1 dhjetor, pasi Elijah dhe përfaqësuesi i tij ligjor nuk ishin të pranishëm.
Çështja pritet të rikthehet për shqyrtim në dhjetor, ndërsa përplasja ligjore mes Cher dhe nuses së saj vazhdon.


