Incidenti në aeroportin e Leipzig që Gjermania ia ka atribuar Rusisë, ka sjellë një reagim të fortë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Një ditë pas akuzave të Berlinit ndaj Moskës, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u takuan në Bruksel për të diskutuar kërcënimet hibride dhe mbështetjen për Ukrainën.Von der Leyen e cilësoi incidentin si një përshkallëzim serioz, duke akuzuar rusine për një përpjekje që, sipas saj, mund të kishte shkaktuar dëme të mëdha dhe viktima. Ajo paralajmëroi se Evropa nuk do të tërhiqet përballë presionit të Moskës.
“Ky ishte një sulm duke përdorur materiale të nivelit ushtarak, i kryer nga operativë rusë në tokën e BE-së. Dhe ne nuk do ta tolerojmë atë. Nëse qëllimi ishte të na bënte të mendoheshim dy herë për të mbështetur Ukrainën, mund t’ju them se kjo vetëm sa e ka forcuar vendosmërinë time. Frikësimi nuk do të funksionojë”, tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian
Brukseli paralajmëron ndërkohë masa të reja ndaj Rusisë, ndërsa ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare po diskutojnë sanksione shtesë. Në fokus është edhe forcimi i mbrojtjes së infrastrukturës kritike evropiane, pas një serie incidentesh që autoritetet i konsiderojnë pjesë të luftës hibride. Në të njëjtën linjë është edhe NATO. Mark Rutte shprehu solidaritet të plotë me Gjermaninë dhe theksoi se përpjekjet e Rusisë për të frikësuar aleatët apo për të dobësuar mbështetjen për Ukrainën nuk do të kenë sukses.
“Kemi parë më shumë dronë dhe raketa që kalojnë në hapësirën tonë ajrore përgjatë krahut tonë lindor duke krijuar rrezik në rritje dhe gjithashtu kemi parë një rritje të aktiviteteve dashakeqe që synojnë drejtpërdrejt territorin tone. Qoftë zjarret e vëna në fabrika që zvogëlojnë pajisjet mbrojtëse për Ukrainën apo sulmi hibrid rus në Leipzig, po, ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Gjermaninë, të gjithë aleancën dhe Bashkimin Evropian. Rreziqet që paraqet Rusia janë të qarta dhe ne po punojmë pa ndërprerje për të siguruar që jemi të përgatitur për të mbajtur njerëzit tanë të sigurt. Nëse Rusia mendon se do të përçahemi nga kërcënimi ose nëse mendon se do të dekurajohemi nga mbështetja e Ukrainës, gabohet. Uniteti ynë është i patundur”, theksoi Mark Rutte, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Përballë përshkallëzimit të tensioneve, mesazhi i përbashkët nga Brukseli është se Evropa dhe NATO do të veprojnë të koordinuara. Krahas presionit ndaj Rusisë, Bashkimi Evropian po diskuton edhe rritjen e mbështetjes për Ukrainën, përfshirë forcimin e mbrojtjes ajrore.Takimi vjen në një moment kur incidenti i Leipzigut shihet si një tjetër provë për sigurinë evropiane dhe për aftësinë e vendeve anëtare për t’iu përgjigjur kërcënimeve hibride, ndërsa BE-ja dhe NATO përsërisin se mbështetja për Ukrainën nuk do të dobësohet.


