Tom Hardy ka surprizuar fansat me një tjetër transformim të papritur në karrierën e tij. Aktori britanik, i njohur për rolet ikonike në The Dark Knight Rises, Mad Max: Fury Road dhe Venom, ka hyrë zyrtarisht në botën e hip-hop-it, duke publikuar albumin e tij të parë të plotë si reper. Albumi, i titulluar “Czarface Meets Frankie Pulitzer”, u publikua më 28 gusht dhe është realizuar në bashkëpunim me grupin underground Czarface, i përbërë nga Inspectah Deck, 7L dhe Esoteric. Projekti përmban 15 këngë dhe sjell edhe emra të njohur të hip-hop-it, mes tyre Busta Rhymes, Method Man, El-P dhe Kendra Morris.
Hardy shfaqet në këtë projekt me pseudonimin Frankie Pulitzer, emër që e ka përdorur edhe në bashkëpunimet e mëparshme me Czarface. Por lidhja e tij me muzikën nuk është aspak e re. Aktori ka treguar se ka nisur të repojë që në moshën 14 ose 15 vjeç. Në fundin e viteve ’90, ai regjistroi muzikë me emrin Tommy No. 1, së bashku me producentin Eddie Too Tall. Mixtape-i i tyre, “Falling on Your Arse in 1999”, nuk u publikua zyrtarisht në atë kohë, por materialet u shfaqën online vite më vonë, në vitin 2018.
Albumi i ri duket se bashkon dy prej pasioneve më të mëdha të Hardy-t: muzikën dhe kinemanë. Tekstet përmbajnë referenca të shumta nga filmat, personazhet dhe kultura pop, ndërsa në një prej këngëve, “Grim-Visaged War”, aktori reciton monologun hapës të Richard III të Shekspirit duke përdorur zërin karakteristik të Bane, personazhit që interpretoi në The Dark Knight Rises.
Edhe videoklipi i këngës “Mad Technology”, ku shfaqet edhe Method Man, është një tjetër dëshmi e identitetit të ri artistik të Hardy-t. Aktori shfaqet me fytyrën e mbuluar nga një balaklavë bardhezi dhe një veshje të errët, duke performuar krah Czarface. Në moshën 48-vjeçare, Tom Hardy duket se po hap një tjetër kapitull tërësisht të papritur në karrierën e tij.


