Rregullorja për rajonizimin dhe optimizimin e arsimit fillorë iu ra në qafë shumë nxënësve edhe pse ekanë shkollën matanë rrugës, por figurojnë në një komunë tjetër. Një paralele në gjuhën shqipe po mbyllet në shkollën fillore të Butelit “Petar Zdravkovski – Penko” ndërsa ministrja arsimit Vesna Jaenvska tha se këto janë kompetenca të komunës, por që reformat në arsim nuk kanë pasur për qëllim mbyllje të paraleleve në gjuhët jo maqedonase.
“Do t’i kontrollojmë këto të dhëna dhe një herë, ju lutem e them bindshëm që në asnjë moment nuk kemi bërë diskriminim sa i përket përdorimit të gjuhëve, e kemi menduar më të mirë për fëmijët. Do ta këshilloj Kryetarin e Komunës, edhe pse është kompetencë e tij, që edhe një herë ta rishqyrtojë ose ta kontrollojë gjendjen në komunën e tij dhe të vendos në mënyrë të drejtë”, tha Janeska.
Në konferencë për media, gazetarët ia numëruan ministres shumë klasë fillore me nga 3-4 nxënës që vazhdojnë të mësojnë në maqedonisht, por Janevska tha se i mbajnë hapur për shkak të arsimtarëve.
Kryetari i komunës Darko Kostovski nuk e mori akoma në shqyrtim këshillën e ministres Janevska.
“Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Komunal, kryetari i Butelit Darko Kostovski nuk foli para mediave, por mbetet në qëndrimin që nuk e ka ndërmend që të pranon nxënës nga komuna të tjera, kur bëhet fjalë për Shkollën Fillore ‘Petar Zdravkovski – Penko’”, raporton Adi Qaili, gazetar.
Tre këshilltarët komunal të AKI-së në Butel propozuan në rend të ditës shqyrtimin e vendimit për mbyllje të paraleles së klasës së parë në gjuhën shqipe. Ata pasi që u mbivotuan nga këshilltarët maqedonas për të mos e futur në rend të ditës, në mënyrë demonstrative e lëshuan sot mbledhjen e këshillit komunal.
“Përgjigja ishte decide se nuk mundet të vazhdon ajo paralele dhe se është veçse fakt i kryer. E nxorëm në votim, normalisht na mbivotuan dhe na rrëzuan poshtë si pikë të rendit të ditës dhe ne u detyruam të dalim dhe ta lëshojmë mbledhjen”, tha Linkest Lumani, këshilltar i AKI-së në komunën e Butelit.
Mbledhjen e lëshuan edhe katër këshilltarët e VLEN-it në Komunën e Butelit. Para mediave thanë se të gjithë nxënësit e etniteteve të ndryshme duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. Ata thonë se në koordinim më zëvendësministrin e arsimit do të përpiqen të gjejnë një zgjidhje brenda kornizës ligjore.
“Është e vështirë të kuptohet se si në shkollat e tjera të Komunës së Butelit në paralelet në gjuhën maqedonase pranohen nxënës nga komuna të tjera, ndërsa fëmijëve shqiptarë që jetojnë në afërsi të kësaj shkolle u mohohet mundësia për tu regjistruar në shkollën më të afërt edhe atëherë kur ka mundësi reale për pranimin e tyre”, theksoi Albesa Ramani, këshilltare e VLEN-it në komunën e Butelit .
Të gjithë këshilltarët shqiptarë komunal të pozitës dhe opozitës në Butel njëzëri kërkuan përgjegjësi nga kryetari Kostovski që mos ta politizon çështjen e fëmijëve por të veproj sipas Nenit 7,8,9 të Ligjit për arsim fillorë, të cilat thonë se mund të lejohet regjistrimi i nxënësve në klasën e parë të fillores, me adresë banimi nga një rajon tjetër ose nga një komunë tjetër në perimetër prej 2 km, vetëm nëse në shkollën fillore ka vende të lira deri në plotësimin e kapaciteteve të lira, përkatësisht deri në 30 nxënës në një paralele.


