Një rrjet prej të paktën dy të punësuarve në MPB dyshohet se janë kapur në flagrancë gjatë procesit të përgatitjes së një patentë-shoferi të falsifikuar për një person në këmbim të ryshfetit. Për këtë arsye, në Ministrinë e Punëve të Brendshme është hapur një hetim i gjerë nga Kontrolli i Brendshëm, pasi dyshimet janë se në këtë mënyrë mund të jenë lëshuar një numër i madh patentë-shoferësh, shkruan “Slloboden Peçat” duke iu referuar burimeve brenda MPB-së.
Sipas SP, në rastin konkret, personit i ishte thënë që ta paraqiste patentë-shoferin e tij si të humbur. Gjatë procesit të lëshimit të patentës së re, ishte planifikuar t’i shtoheshin kategori më të larta se ato që kishte, duke i mundësuar që, përveç automjetit, të drejtonte edhe kamionë të rëndë dhe autobusë.
Nëse hetimi i konfirmon këto dyshime fillestare, bëhet fjalë për një skandal të madh për sigurinë publike, pasi drejtuesit e autobusëve transportojnë fëmijë në ekskursione, pasagjerë dhe turistë, duke vënë në rrezik një numër të madh jetësh. Për drejtuesit e autobusëve ekzistojnë kushte të posaçme, përfshirë certifikatë të vlefshme mjekësore dhe posedimin e patentë-shoferit për kamion për të paktën dy vjet, me qëllim garantimin e sigurisë.
“Në lidhje me rastin për të cilin pyetni, ju njoftojmë se nga Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së është njoftuar Prokuroria Themelore Publike kompetente dhe, në koordinim me prokurorinë, po ndërmerren aktivitetet përkatëse për zbardhjen e rastit, pas së cilës opinioni do të njoftohet në mënyrë përkatëse”, thonë nga MPB për “Slloboden Peçat”.
Burime të pozicionuara lart në MPB për „Slloboden Peçat“ konfirmojnë se disa nga personat nën hetim, në të kaluarën kanë qenë të dyshuar edhe për pjesëmarrje në aferën me pasaportat e falsifikuara, të cilat u ishin lëshuar personave kontroversë nga bota e krimit në Ballkan dhe të cilët më pas ishin rikthyer në punë me vendime gjyqësore.
Afera “Pasaportat e falsifikuara” ishte një skandal i madh i vitit 2021, gjatë të cilit u lëshuan pasaporta të Maqedonisë me identitete të vjedhura dhe të falsifikuara për 215 kriminelë, mafiozë dhe trafikantë droge nga vende të ndryshme të botës.
Në vitin 2021, 18 të punësuar në Shërbimet Administrative të MPB-së u dënuan pasi kishin marrë pjesë në një grup që siguronte patentë-shoferë për persona që nuk kishin dhënë kurrë provim për patentë.


