Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në Jacksonville të Floridës, ku tre fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të fuqishëm që përfshiu banesën e tyre dykatëshe.
Katër persona të tjerë, dy fëmijë dhe dy të rritur, ndodhen në gjendje kritike në spital. Bilanci është konfirmuar nga shefi i Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville, Percy Golden.
Zjarri shpërtheu në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, kati i parë i banesës ishte përfshirë nga flakët, ndërsa kati i dytë ishte mbushur me tym.
Dy të rritur dhe dy fëmijë kishin arritur të dilnin nga banesa. Gjatë kontrollit të ndërtesës, zjarrfikësit gjetën tre fëmijët e tjerë pa shenja jete.
Një fqinj u tha mediave amerikane se banorë të zonës ndihmuan në përpjekjet për shpëtim, duke nxjerrë nga një dritare e katit të dytë një foshnjë dhe një të rritur. Të afërmit që mbërritën në vendngjarje konfirmuan për mediat lokale se familja është me origjinë nga Shqipëria.
Në vendngjarje ishin edhe gjyshërit e fëmijëve, Alia dhe Artan Sulollari. Kryqi i Kuq Amerikan është angazhuar për të ndihmuar personat që kanë mbetur pa strehë.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit, i cili ende nuk është bërë i ditur.
/vizionplus.tv


