Jennifer Garner ka folur hapur për pasigurinë financiare që përjetoi pas divorcit nga Ben Affleck në vitin 2015, duke pranuar se në atë periudhë “e kapi paniku” kur kuptoi se karriera e saj kishte marrë një tjetër drejtim. Ajo tregoi në podcastin Aspire të Emma Grede se, pasi u tërhoq për një periudhë nga ritmi i industrisë për t’u përqendruar te tre fëmijët e saj, Violet, Finn dhe Samuel, nisi të shqetësohej për të ardhmen.
“Më kapi paniku kur dola për herë të parë nga martesa dhe kuptova se sa shumë isha tërhequr pas në punën time”, rrëfeu aktorja. Garner shpjegoi se papritur nisi të mendonte se nuk e dinte se për sa gjatë do të mund të punonte dhe nëse do të kishte mundësi të siguronte të ardhmen e saj dhe të fëmijëve.
“Papritur mendova: prit një minutë, duhet të kujdesem për veten. Duhet të kujdesem për këta fëmijë. Atëherë, çfarë do të bëhet?”, tha ajo. Kjo periudhë e shtyu aktoren që, së bashku me menaxheren e saj, të ishte shumë më e kujdesshme në zgjedhjen e projekteve të ardhshme. Garner donte të vazhdonte të punonte, por pa u larguar për muaj të tërë nga Los Angeles, pasi prioriteti i saj ishte të qëndronte pranë fëmijëve.
Në vitin 2017, ajo u bë bashkëthemeluese e Once Upon a Farm, një kompani që prodhon ushqime organike për fëmijë. Biznesi rezultoi një sukses i madh dhe, sipas të dhënave të cituara nga Forbes, kompania është vlerësuar rreth 724 milionë dollarë, ndërsa pjesa e Garner në të rreth 50 milionë dollarë. Aktorja pranoi gjithashtu se gjithmonë ka pasur tendencë të jetë shumë bujare me paratë, sidomos kur bëhet fjalë për të ndihmuar të tjerët. “Problemi im është se jap shumë para”, tha ajo me humor, duke treguar se menaxheri i saj herë pas here duhet t’i kujtojë të “frenojë” pak shpenzimet.


