Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ua dorëzoi certifikatat e emërimit noterëve të sapoemëruar, duke u uruar sukses në ushtrimin e këtij funksioni të rëndësishëm dhe me përgjegjësi të veçantë për sistemin juridik.
Me këtë rast, ministri Shasivari theksoi se të qenit noter nuk është vetëm profesion, por para së gjithash përgjegjësi ndaj qytetarëve, ligjit dhe drejtësisë.
Ai u përcolli noterëve të rinj mesazhin se, së bashku me kolegët e tyre me përvojë, duhet të jenë një shtyllë e fortë e sigurisë juridike, besimit të qytetarëve dhe sundimit të së drejtës.
Sipas ministrit, profesionalizmi, integriteti dhe përgjegjësia janë vlera themelore për forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin juridik dhe në institucionet që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Nga noterët e sapoemëruar pritet që detyrën ta ushtrojnë me ndërgjegje, paanshmëri dhe në përputhje të plotë me ligjin, duke vendosur në qendër të punës së tyre qytetarin dhe mbrojtjen e të drejtave të tij.
Në përfundim, ministri Shasivari u uroi noterëve të rinj punë të mbarë, suksese dhe rezultate të larta profesionale, duke nënvizuar se detyra është e re, përgjegjësia është e madhe, ndërsa standardi duhet të jetë i lartë.


