Ikona e muzikës country, Dolly Parton, u nda nga jeta të martën në Nashville, në moshën 80-vjeçare, duke lënë pas një prej trashëgimive më të mëdha në historinë e muzikës dhe filantropisë.
Vdekja e saj erdhi vetëm katër ditë pasi Parton kishte folur për revistën “People”, ku kishte treguar se ende kishte shumë projekte dhe gjëra që dëshironte të realizonte.
Sipas zëdhënësit të saj, Parton kishte lënë një dëshirë të qartë për mënyrën se si familja do ta përcillte pas vdekjes. Ajo kishte kërkuar që ceremonia e lamtumirës të ishte e vogël dhe private, larg vëmendjes së publikut.
Në vend të një ceremonie publike, fansat dhe miqtë janë ftuar ta nderojnë kujtimin e saj përmes rrjeteve sociale, duke ndarë mesazhe në profilet e saj ose në faqen zyrtare.
Familja ka bërë gjithashtu një kërkesë të veçantë: në vend të luleve, admiruesit të bëjnë donacione për “Imagination Library”, fondacionin e krijuar nga Parton që prej vitesh u siguron libra falas fëmijëve dhe mbështet edukimin dhe dashurinë për leximin.
Lajmin për ndarjen e saj nga jeta e bëri publik nipi i saj, Bryan Seaver, përmes një videoje të publikuar në Instagram.
Ai tregoi se Dolly ia kishte kërkuar shumë vite më parë që të ishte ai personi që do të njoftonte publikun për vdekjen e saj, në një kohë kur asnjëri prej tyre nuk mund ta imagjinonte se një ditë ai moment do të vinte vërtet.
Në këtë mënyrë, edhe në lamtumirën e fundit, Parton la pas një mesazh që përputhet me një prej trashëgimive më të rëndësishme të jetës së saj: të kujtohet jo vetëm për muzikën, por edhe për të mirën që bëri për të tjerët.


