Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, përmes një postimi në rrjetet sociale ka ndarë detaje nga takimi i së dielës me kryeministrit Edi Rama dhe kolegët e tjerë të qeverisë në Pogradec.
Në postimin e tij Hoxha thekson se Seminari i Qeverisë, një moment për të parë dhe analizuar çdo aspekt në imtësi, përtej ditës dhe rutinës, dhe për të përcaktuar qartë prioritetet deri në fund të vitit, përfshirë edhe në politikën e jashtme.
Ai ka zbuluar dhe disa nga pikat kryesore që u nxorën në këtë takim të ministrave në qytetin liqenor.
Postimi i Hoxhës:
📍Pogradec – Seminari i Qeverisë, një moment për të parë dhe analizuar çdo aspekt në imtësi, përtej ditës dhe rutinës, dhe për të përcaktuar qartë prioritetet deri në fund të vitit, përfshirë edhe në politikën e jashtme.
Vijimësia e sukseshme e procesit të anëtarësimit në BE mbetet objektivi ynë parësor dhe do të kërkojë ritëm të shtuar, fokus të qartë dhe angazhim të plotë diplomatik.
Do të vazhdojmë të investojmë edhe më shumë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, si kontribut për një Ballkan Perëndimor më të stabilizuar, më të ndërlidhur, më të qëndrueshëm dhe më pranë Evropës.
Do të modernizojmë dhe thjeshtëzojmë më tej shërbimet konsullore, duke i bërë sa më të shpejta, të aksesueshme dhe gjithnjë e më të orientuara ndaj qytetarit.
Në fokus të veçantë do të jetë vijimi i reformimit të Shërbimit të Jashtëm, për një diplomaci moderne, profesionale dhe meritokratike, me një korpus diplomatik të aftë, të zhdërvjellët dhe të angazhuar për të përfaqësuar denjësisht vendin, për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të krijuar më shumë vlerë të shtuar për Shqipërinë:
– më shumë ndikim për imazhin e vendit dhe projektimin e tij kulturor e shoqëror;
– më shumë lidhje me ekonominë dhe tregtinë;
– më shumë ndërlidhje, partneritete dhe mundësi;
– më shumë rezultate konkrete për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë.
Një Shqipëri europiane kërkon edhe një diplomaci europiane. 🇦🇱


