Kryeministri Hristijan Mickoski përsëriti se nuk është frikacak që të ikë nga zgjedhjet nëse opozita e kërkon këtë. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, kërkoi menjëherë shpërndarjen e Kuvendit, ndërsa kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se nuk do të jetë alibi e Mickoskit për qeverisjen e pasuksesshme dhe se, nëse dëshiron zgjedhje, ai vetë ka shumicën për ta shpërndarë Kuvendin, shkruan PressOnline.al
Kryeministri Hristijan Mickoski nuk i është përgjigjur sfidës së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe pret që kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, t’i hedhë dorashkën për zgjedhje të parakohshme parlamentare në pranverë. Kjo, në mënyrë të përmbledhur, është shkëmbimi i fundit i mesazheve mes liderëve të partive për zgjedhjet e mundshme të parakohshme parlamentare, temë të cilën Mickoski e rikthen prej më shumë se një viti.
Kryeministri përsëriti se qytetarët i kanë dhënë mandat katërvjeçar, por edhe se nuk është frikacak që të ikë nga zgjedhjet nëse opozita e kërkon këtë.
“Qytetarët nuk duan zgjedhje, qytetarët duan reforma dhe vazhdimësi të proceseve që i udhëheq Qeveria. Ne si koalicion kemi marrë legjitimitet nga qytetarët për të qenë qeveri për katër vjet, por nëse opozita mendon se nevojiten zgjedhje të parakohshme, sigurisht që ne, si frikacakë, nuk do të qëndrojmë mënjanë, por do t’i përgjigjemi pozitivisht kësaj kërkese dhe sigurisht që do t’i fitojmë”, tha Mickoski, përcjell PressOnline.al
Nga BDI-ja menjëherë e përshëndetën gatishmërinë e kryeministrit Mickoski për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme nëse këtë e kërkon opozita.
BDI: Qeveria e ka humbur legjitimitetin
Ahmeti, pothuajse që nga dita e parë e formimit të Qeverisë së Mickoskit, insiston për zgjedhje, pasi mbeti në opozitë dhe, duke iu referuar rezultatit zgjedhor, konsideron se ata kanë legjitimitetin për t’i përfaqësuar shqiptarët në Qeveri.
“Ne e kërkojmë këtë. Më në fund edhe kryeministri e kuptoi se kjo gjendje është e paqëndrueshme dhe se shtetit i nevojitet një mandat i ri politik. Qeveria e ka humbur legjitimitetin për të vazhduar me izolimin evropian, përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike, cenimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe dobësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione”, thonë nga BDI-ja.
Nga partia kërkojnë që deklarata e kryeministrit menjëherë të shndërrohet në veprim konkret.
“Kërkojmë që në ditët në vijim të përcaktohet afati më i shpejtë kushtetues, të fillojnë përgatitjet zgjedhore dhe qytetarëve t’u jepet mundësia të vendosin për drejtimin në të cilin do të lëvizë shteti. Nëse oferta e kryeministrit është serioze, nuk ka arsye për shtyrje, arsyetime apo kalkulime politike. Opozita e dha përgjigjen e saj. BDI-ja është e gatshme. Të shpërndahet Kuvendi. Të përcaktohet data. Të shkojmë në zgjedhje”, thonë nga BDI-ja.
Nga VLEN-i, ndërkaq, lidhur me kërkesën e BDI-së për zgjedhje të parakohshme, thonë se prioritet për ta janë projektet infrastrukturore, veçanërisht vazhdimi i ndërtimit të Korridorit 8, ndërtimi i rrugës Shkup–Bllacë, punimet për të cilën, sipas tyre, nisin së shpejti, si dhe ndërtimi i rrugës Tetovë–Prizren.
“Këto projekte për ne janë shumë më të rëndësishme se zgjedhjet dhe pushteti”, deklarojnë nga VLEN.
Sipas koalicionit, pavarësisht se kur do të mbahen zgjedhjet, BDI-ja do të përfundojë e “poshtëruar nga shqiptarët”, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve lokale.
“Shqiptarët nuk kthehen më prapa. Nuk i besojnë më një kaste të korruptuar, një politike të vjetëruar e cila në vend se të përfaqësojë shqiptarët, pasuroi disa individë. Koha e BDI-së ka mbaruar”, përfundon reagimi i VLEN-it.
Edhe Aleanca për Shqiptarët është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe kërkon që liderët të ulen menjëherë dhe të përcaktojnë datën e zgjedhjeve.
“Nuk ka nevojë për taktizime, shtyrje apo kalkulime politike. Qytetarët duhet të kenë mundësinë të japin vlerësimin e tyre për drejtimin në të cilin po lëviz vendi dhe mënyrën se si po qeveriset. Sa më shpejt të mbahen zgjedhjet, aq më mirë për vendin, qytetarët dhe të ardhmen tonë”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët, përcjell PressOnline.al
Filipçe: Kemi “Masterplan për Maqedoninë”
Filipçe, nga ana tjetër, mbeti në qëndrimin se LSDM-ja nuk do të jetë alibi e Mickoskit për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Ne nuk do t’i bëhemi alibi për zgjedhje. Zgjedhjet do t’i caktojë kryeministri, i cili ka shumicë prej dy të tretash. Pushtet absolut në çdo nivel – presidente, pushtet ekzekutiv, shumicë prej dy të tretash në Kuvend, shumicë në komuna. Mund t’i bëjë zgjedhjet kur të dojë, ne nuk do t’i bëhemi alibi. Zgjedhje do të ketë kur t’u mbarojnë paratë për tenderët korruptivë, kjo i intereson atyre, asgjë tjetër”, tha Filipçe.
Ai shtoi se LSDM-ja është e gatshme për zgjedhje.
“Jemi të gatshëm me ekip, me program të mirë, me diçka që do ta prezantojmë muajin e ardhshëm dhe që quhet ‘Masterplan për Maqedoninë’. Plan në disa hapa dhe nëse qytetarët na japin besimin në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të jenë, të dinë se cilat janë premtimet tona, mekanizmat e kontrollit të këtyre premtimeve për të mirën e qytetarëve dhe të shtetit”, tha Filipçe.
Filipçe nuk e dinte qëndrimin e BDI-së për zgjedhjet e parakohshme dhe nuk e komentoi atë, ndërsa për një takim të mundshëm të liderëve për zgjedhjet tha se nuk refuzon bisedimet, por është skeptik për rezultatin e takimeve të tilla.
“Unë dhe partia jemi të gatshëm të marrim pjesë në gjithçka që është e mirë për shtetin, për cilëndo politikë të madhe, politikë për shtetin. Unë isha te kryeministri pas zjarrit në Koçan, duke e ditur se nuk i nevojiteshin numrat e LSDM-së, e as që unë i nevojitesha atij, por isha aty për të mirën e shtetit, që të bëjmë diçka së bashku, para së gjithash për agjendën e reformave. Për fat të keq, nga kjo nuk doli asgjë, nuk u përgjigjën. Çfarë do të bënim në atë takim? Do të shkoj në çdo takim nëse është për të mirën e shtetit dhe qytetarëve. Ja, çfarë doli nga takimi i fundit i liderëve, në të cilin unë nuk shkova? Më thoni një gjë! Çfarë doli, përveçse me forcë u hoq qeveria teknike. Kërkojnë alibi përmes takimeve të tilla për të kaluar politikat e tyre”, tha Filipçe.
Mickoski, në një intervistë televizive, tha se nëse opozita kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, atëherë si qeveri janë të gatshëm për një takim të liderëve për të dakorduar termin dhe për të shkuar në përballje të parakohshme zgjedhore.(PressOnline.al)


