Nga partia VLEN sa i përket kërkesës së BDI-së për zgjedhje të parakohshme, kanë deklaruar se për ta prioritet janë projektet infrastrukturore, veçanërisht vazhdimi i ndërtimit të Korridorit 8, ndërtimi i rrugës Shkup–Bllacë, punimet për të cilën, sipas tyre, nisin së shpejti, si dhe ndërtimi i rrugës Tetovë–Prizren.
“Këto projekte për ne janë shumë më të rëndësishme se zgjedhjet dhe pushteti”, deklarojnë nga VLEN.
Sipas koalicionit, pavarësisht se kur do të mbahen zgjedhjet, BDI-ja do të përfundojë e “poshtëruar nga shqiptarët”, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve lokale.
“Shqiptarët nuk kthehen më prapa. Nuk i besojnë më një kaste të korruptuar, një politike të vjetëruar e cila në vend se të përfaqësojë shqiptarët, pasuroi disa individë. Koha e BDI-së ka mbaruar”, përfundon reagimi i VLEN-it.


