Rregulli i ri i vendosur në Kategorinë Superiore ka hapur një front të ri në merkaton e futbollistëve në vendin tonë, teksa Egnatia ka bërë një lëvizje të rëndësishme në këtë drejtim, duke i rrëmbyer Dinamos shërbimet e talentit të Kombëtares U-19, Bjorni Duka.
Komiteti Ekzekutiv, vetëm para disa javësh, miratoi rregullin e ri për aktivizimin si titullar dhe të paktën një lojtar të lindur në vitin 2007 e më pas. Ky rregull i ri ndryshoi balancat e merkatos dhe klubet nisën lëvizjet për të siguruar të rinjtë më të mirë të futbollit tonë.
Duka ishte pjesë e Dinamos, por nuk e pa si një ambient mbështetës ndaj të rinjve dhe vendosi të kërkonte një strehë më të sigurt për rritjen e tij si futbollist. Si pasojë, ai këmbënguli për largimin nga blutë dhe u la i lirë pas negociatave.
Egnatia e kishte ndjekur prej kohësh dhe nuk e humbi rastin për të ndërhyrë dhe për të mbyllur operacionin brenda shumë pak ditësh, duke siguruar një nga mesfushorët më të mirë “box-to-box” për grupmoshën e tij në vendin tonë. 18-vjeçari ka firmosur kontratën e re dhe transferimi është zyrtarizuar sot në zyrat e klubit rrogozhinas, ku Duka ka pozuar edhe me fanellën e Egnatias.
Duka ishte shumë pranë kalimit te ekipi U-21 i Hellas Veronës janarin e shkuar, kur edhe bëri një provë disaditore, por vetoja e vendosur nga presidenti Bardhi dhe kërkesa e lartë financiare e penguan që ai të bënte këtë kapërcim në karrierë.
Në sezonin e shkuar, Duka mbante shiritin e kapitenit në ekipin U-19 të Dinamos, teksa ishte edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës me 12 gola sezonalë, pavarësisht pozicionit si mesfushor. Burime pranë Dinamos, për Top Channel bëjnë gjithashtu me dije se për Dukën në klub ka mbërritur ftesë edhe nga Kombëtarja U-21 për ndeshjet e radhës.


