Situata e zjarreve është rënduar ndjeshëm në qarkun Dibër, ndërsa flakët vijojnë të përhapen me shpejtësi në disa zona të Bulqizës dhe Matit.
Në zonën e Qafë Helmes, në njësinë administrative Fushë-Bulqizë, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke u favorizuar nga temperaturat e larta dhe era. Pavarësisht angazhimit të forcave në terren, flakët vijojnë të jenë të vështira për t’u neutralizuar, ndërsa kërkohet ndërhyrje urgjente nga ajri për të frenuar përhapjen e tyre.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, një tjetër vatër zjarri është shfaqur në pyjet e fshatit Laç, në njësinë administrative të bashkisë Mat.
Forcat në terren vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrave, ndërsa pritet ndërhyrja nga ajri për të vënë nën kontroll situatën.
Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin në terren për përballimin e zjarreve në disa zona të vendit. Ekipet operacionale po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, ndërsa në mbështetje të tyre janë angazhuar efektivë, mjete zjarrfikëse dhe helikopterë të Forcës Ajrore.
LEXO EDHE: Pamje të rënda nga Durrësi/ Taksistit i del makina nga kontrolli dhe përplas 66-vjeçarin që po ecte në trotuar, shpëtojnë mrekullisht kalimtarët e tjerë!
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara në Dajt, Mirditë dhe Pukë.
“Forcat e Armatosura, të angazhuara intensivisht në operacionet për përballimin e zjarreve në disa zona të vendit. Mali i Dajtit, Tiranë – Vijon puna e forcave operacionale, të mbështetura nga 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Aktualisht, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Lufaj, Mirditë – Vijon puna e strukturave në terren me 2 mjete zjarrfikëse të FA dhe me 9 efektivë. Aktualisht, vatra nuk paraqet rrezik për banesat. Fushë-Lajë, Pukë – Vijon operacioni me angazhimin e 40 efektivëve të FA. Aktualisht, nuk ka rrezik për zonat e banuara”, shkruan Ministria e Mbrojtjes.


