Arlinda Hasani Sinani është propozuar për zv.guvernatore të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Propozimi është dorëzuar në Kuvend nga guvernatori Trajko Sllaveski, pas përfundimit të procedurës së konkursit publik, informon PressONline.al
Hasani Sinani, e cila ka më shumë se 20 vite përvojë në sektorin bankar, pritet të zëvendësojë Fadil Bajramin, të cilit më 14 shtator 2026 i përfundon mandati shtatëvjeçar si zv.guvernator.
Sipas propozimit të dorëzuar në Kuvend, Hasani Sinani ka 22 vite përvojë profesionale në sektorin bankar, ku ka ushtruar detyra profesionale dhe drejtuese në fushën e kreditimit, menaxhimit të rrezikut dhe bankimit afarist.
Karrierën e ka nisur në ProCredit Bank në Shkup si analiste krediti, ndërsa më pas ka ushtruar disa pozita drejtuese, përfshirë drejtoreshë të ekspoziturës, drejtoreshë të Qendrës së Biznesit dhe drejtoreshë të Sektorit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Përvojë ka edhe në Stopanska Banka AD Shkup, ku ka qenë drejtoreshë e filialit, ndërsa nga viti 2023 ushtron detyrën e drejtoreshës rajonale për rajonin veriperëndimor.
Gjatë karrierës së saj, Hasani Sinani ka qenë e përfshirë edhe në punën e disa komiteteve bankare, përfshirë Komitetin e Rrezikut, Komitetin e Rrezikut Kreditor, Komitetin për Menaxhimin e Aktiveve dhe Detyrimeve (ALCO) dhe Komitetin për Burime Njerëzore, informon PressOnline.al
Ajo është ekonomiste e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ndërsa ka përfunduar edhe programe për menaxhim të mesëm dhe të lartë në ProCredit Academy në Frankfurt të Gjermanisë.
Emërimi i zv.guvernatorëve bëhet nga Kuvendi, me propozim të guvernatorit të Bankës Popullore, për mandat shtatëvjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.
Për kandidaturën e Arlinda Hasani Sinanit tani pritet vendimi i Kuvendit.
Aktualisht, zv.guvernatorë të Bankës Popullore janë Ana Mitreska dhe Igor Velichkovski, ndërsa Fadil Bajrami është në përfundim të mandatit të tij.(PressOnline.al)


