Zinedine Zidane po kompleton stafin që do ta shoqërojë në aventurën e tij të re në krye të kombëtares së Francës. Një prej emrave të rëndësishëm që do të jetë pjesë e ekipit të tij është ish-portieri legjendar i “Les Bleus”, Fabien Barthez.
Zidane do të debutojë si trajner i Francës më 25 shtator, në transfertën ndaj Turqisë, në kuadër të Nations League. Pak më shumë se një muaj para ndeshjes së parë, ish-legjenda e Real Madridit ka përcaktuar pjesën kryesore të stafit të tij. Fabien Barthez do të marrë detyrën e trajnerit të portierëve, duke iu bashkuar Zidane në një tjetër kapitull të rëndësishëm të karrierës së tyre.
Dy ish-kampionët e botës kanë një histori të veçantë së bashku. Ata ishin pjesë e Francës që triumfoi në Kupën e Botës 1998, ku Zidane shënoi dy gola në finalen ndaj Brazilit, ndërsa dy vite më vonë festuan edhe fitimin e Euro 2000.
Në stafin e Zidane do të jetë gjithashtu David Bettoni, krahu i tij i djathtë gjatë periudhës te Real Madridi, si dhe Grégory Dupont, ish-përgatitësi atletik i Francës gjatë Botërorit 2018.
Për Barthez, përfshirja në stafin e Zidane ishte dakordësuar prej javësh, por njoftimi zyrtar ishte shtyrë për shkak të një çështjeje administrative që lidhej me një licencë të kërkuar në Francë për të punuar në futbollin profesionist.
Pas debutimit në Turqi më 25 shtator, ndeshja e parë e Zidane para tifozëve francezë do të jetë më 2 tetor ndaj Italisë. Një kundërshtar simbolik për “Zizou”, pasi pikërisht ndaj Italisë u mbyll karriera e tij si futbollist, në finalen e Botërorit 2006.


