Ndeshja e parë zyrtare e sezonit të ri duket se konfirmoi një tendencë që ishte shfaqur qartë gjatë sezonit të kaluar dhe që u reflektua edhe në Botërorin e kësaj vere: shkolla spanjolle e trajnimit po dominon futbollin modern. Trajnerët spanjollë jo vetëm po drejtojnë disa prej skuadrave më të rëndësishme, por po arrijnë gjithnjë e më shpesh të vendosin duart mbi trofetë më prestigjiozë.
Paris Saint-Germain i drejtuar nga Luis Enrique fitoi Superkupën e Europës, duke mposhtur në finalen e zhvilluar në Salzburg Aston Villën e Unai Emery, fituese e Europa League. Përtej trofeut të radhës për klubin parizien, finalja ishte një tjetër dëshmi e pranisë së jashtëzakonshme të trajnerëve spanjollë në nivelet më të larta të futbollit europian.
Një skenar i ngjashëm ishte parë edhe sezonin e kaluar në finalen e Champions League. Edhe atëherë, në stol përballeshin dy trajnerë spanjollë: Luis Enrique me PSG-në dhe Mikel Arteta me Arsenalin. Triumfi i teknikut të parizienëve e forcoi edhe më shumë idenë se futbolli europian po jeton një periudhë ku filozofia dhe metodat e trajnerëve spanjollë janë kthyer në pikë referimi.
Por dominimi nuk kufizohet vetëm te disa emra të njohur. Statistikat tregojnë një ndryshim historik në hierarkinë e shkollave të trajningut europian. Trajnerët spanjollë kanë arritur në total 47 trofe europianë, të fituar nga 20 teknikë të ndryshëm, duke kaluar kështu homologët italianë, të cilët numërojnë 43 trofe të fituar nga 18 trajnerë.
Për dekada, shkolla italiane konsiderohej një nga më prestigjiozet në botë, e njohur për disiplinën taktike, organizimin mbrojtës dhe aftësinë për të menaxhuar ndeshjet vendimtare. Sot, megjithatë, trajnerët spanjollë kanë krijuar identitetin e tyre dominues, të ndërtuar mbi kontrollin e topit, presingun, fleksibilitetin taktik dhe futbollin ofensiv.
Nga Pep Guardiola te Luis Enrique, Unai Emery, Mikel Arteta dhe një brez i ri teknikësh që po ndërtojnë karrierën në kampionatet më të mëdha, ndikimi spanjoll është i dukshëm pothuajse kudo. Nuk bëhet më fjalë vetëm për suksesin e klubeve të La Ligës, por për eksportimin e një filozofie futbolli që po triumfon edhe jashtë kufijve të Spanjës. Shifrat flasin qartë: 47 trofe kundrejt 43. Pas shumë vitesh ku shkolla italiane ishte sinonim i mjeshtërisë taktike në Europë, froni duket se ka ndryshuar pronar.


