Romeo Beckham është bërë sërish qendra e vëmendjes pas paraqitjes së tij në fushatën më të re të Tommy Hilfiger, ku stili i zgjedhur ka bërë që shumë fansa ta krahasojnë menjëherë me babanë e tij, David Beckham.
23-vjeçari është një nga protagonistët e koleksionit të vjeshtës 2026, “Always Denim”, i realizuar në New York, ku shfaqet me një kombinim klasik xhinsi që rikthen në kujtesë një nga paraqitjet më ikonike të ish-futbollistit anglez.

I veshur me një këmishë xhins mbi një bluzë të bardhë dhe xhinse në të njëjtën frymë, Romeo ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë përdorues vunë në dukje ngjashmërinë e madhe me stilin që David Beckham e bëri të famshëm vite më parë.
Në setin fotografik, modeli shfaqet edhe me disa veshje të tjera karakteristike të markës, ndërsa në një prej imazheve pozon me një top futbolli, një detaj që shihet si një homazh për lidhjen e tij me sportin dhe trashëgiminë e të atit.

Romeo Beckham e nisi karrierën si model në moshën 10-vjeçare, kur u bë pjesë e një fushate të Burberry. Më pas ai u fokusua te futbolli, duke qenë pjesë e akademisë së Arsenalit, si dhe skuadrave Inter Miami II dhe Brentford B.

Në vitet e fundit, ai është rikthyer fuqishëm në industrinë e modës, duke bashkëpunuar me emra të njohur si Saint Laurent, Balenciaga, Versace, H&M dhe tashmë Tommy Hilfiger.

Vetëm pak ditë më parë, Romeo u komentua gjerësisht edhe për pamjen e tij të re me flokë biondë gjatë pushimeve në Ibiza, një tjetër detaj që shumë fansa e krahasuan me stilin karakteristik të David Beckham në kulmin e karrierës së tij.


