Tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish, pasi Uashingtoni riktheu bllokadën detare ndaj Iranit dhe ndërmori një valë të re sulmesh ajrore ndaj objektivave ushtarake iraniane, sipas AP.
Zhvillimet e fundit kanë rritur frikën për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme dhe për pasoja të rënda në tregjet globale të energjisë.
Sipas autoriteteve iraniane, sulmi amerikan ndaj një kazerme ushtarake në provincën juglindore Sistan dhe Baluchestan, vrau të paktën shtatë ushtarë, ndërsa mbi 260 persona u plagosën në sulme të ndryshme në të gjithë vendin.
Ushtria iraniane e cilësoi sulmin, si një akt agresioni dhe paralajmëroi se do të japë një “përgjigje vendimtare”.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane bëri të ditur se, forcat e saj goditën dhjetëra objektiva ushtarake gjatë një operacioni që zgjati rreth shtatë orë.
Sipas Uashingtonit, sulmet synojnë të pengojnë kërcënimet iraniane ndaj sigurisë së rajonit.
Në një reagim, Garda Revolucionare e Iranit kërcënoi se mund të ndalojë eksportet e naftës dhe gazit nga e gjithë Lindja e Mesme, duke deklaruar se “ose do të eksportojnë të gjithë, ose askush”.
Një veprim i tillë do të kishte pasoja të mëdha për tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Përshkallëzimi i krizës lidhet me Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë, nga ku kalon rreth 20% e tregtisë globale të naftës dhe gazit.
Çdo bllokim i kësaj rruge, mund të shkaktojë ndërprerje të furnizimeve dhe rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë.
Ndërkohë, Irani lëshoi raketa dhe dronë drejt disa vendeve të Gjirit Persik.
Bahreini dhe Kuvajti aktivizuan alarmet ajrore, ndërsa Jordania njoftoi se kishte rrëzuar tre raketa iraniane.
Sipas ushtrisë amerikane, Irani ka ndërmarrë sulme të shumta ndaj vendeve fqinje, gjatë ditëve të fundit.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA-ja do të vazhdojë operacionet ushtarake, nëse Irani nuk rikthehet në negociata.
Ai paralajmëroi se objektiva të ardhshëm mund të jenë edhe ura dhe hidrocentrale, duke i bërë thirrje Teheranit të arrijë një marrëveshje, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për të shpëtuar marrëveshjen e përkohshme mes SHBA-së dhe Iranit po hasin vështirësi, ndërsa ndërmjetës rajonalë vazhdojnë përpjekjet për t’i rikthyer palët në tryezën e bisedimeve.
Tensionet kanë ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare, ku çmimi i naftës është rritur sërish, mes shqetësimeve se konflikti mund të pengojë furnizimin global me energji.





