Molliqaj, pas dekretimit të Zejnullah Gashit nga Haxhiu: E zgjodhën për shkak të ‘servilitetit’ ndaj pushtetit

featured
Press Online
14 Korrik 2026, 22:38

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas dekretimit të Zejnullah Gashit në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.

Përmes një video-adresimi, Molliqaj tha dekretimi i Gashit dëshmon se pushteti kishte nevojë për president të dëgjueshëm, në mënyrë që të kontrollonte procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit.

“Sot alarmi ynë mori kuptim. Kur thonim ne që Albin Kurtit po i vyn Presidenti i vet e i dëgjueshëm, sepse po don me zgjedh kryeprokurorin e shtetit, ma saktësisht me dekretu, kqyreni çka ka ndodh sot: Albulena Haxhiut, si ushtruese e detyrës, në kohë rekord, mbramë vonë ia kanë dorëzu mandatin, sot e paska dekretu…”, ka deklaruar Molliqaj.

Molliqaj kujtoi se Haxhiu, në kohën kur ishte ministre, e kishte denoncuar atë në Policinë e Kosovës.

“Dhe a e dini kë e ka dekretu? Një person të cilin vetë Albulena Haxhiu, kur ka qenë ministre, u shku dhe e ka denoncu në Policinë e Kosovës nga frika se po e shantazhon”, ka thënë kreu i PSD-së.

Sipas Molliqajt, Gashi kishte shkuar në zyrën e Haxhiut për t’i dhënë sqarime lidhur me një hetim ndaj një personi që pretendohet se kishte lidhje familjare me të.

“A e dini çka ka bë ky? Ka shku te ministrja e asaj kohe, Albulena Haxhiu, me iu justifiku dhe arsyetu që nuk jam duke e hetu dikë që është në lidhje familjare me Albulenën. Albulena, nga frika, u shku dhe e ka denoncu”, ka deklaruar ai.

Molliqaj shtoi se pikërisht gatishmëria e Gashit për t’iu bindur pushtetit ka ndikuar në dekretimin e tij.

“Por këta e kanë kuptu që një njeri që të vjen në zyrë me t’u justifiku është njeri servil i paprecedent, të cilin mund ta përdorësh për çka të duash. Kjo është arsyeja pse zoti Gashi është sot kryeprokuror i shtetit në kohë rekord, sepse e kanë pa vullnetin e tij për servilitet të pakushtëzuar ndaj pushtetit”, ka përfunduar Molliqaj.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter