Haraçina ka nisur realizimin e një prej projekteve më të kërkuara nga qytetarët dhe sportdashësit e kësaj komune – ndërtimin e Qendrës Sportive. Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka njoftuar se punimet tashmë kanë filluar, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sportit dhe krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë.
Sipas Beqirit, faza e parë e projektit përfshin ndërtimin e stadiumit stërvitor, ndërsa në vazhdim parashihet edhe ndërtimi i stadiumit për zhvillimin e ndeshjeve.
“Qendra Sportive e Haraçinës po bëhet realitet. Ky është një projekt i shumëpritur dhe një nga kërkesat më të mëdha të sportdashësve, të rinisë dhe të gjithë banorëve tanë”, ka deklaruar Beqiri.
Ai ka theksuar se pas shumë vitesh pritje, tashmë po hidhet hapi i parë drejt krijimit të një infrastrukture moderne sportive për komunën.
“Punimet kanë filluar pikërisht me stadiumin stërvitor, i cili është faza e parë e realizimit të Qendrës Sportive. Në vazhdim do të ndërtohet edhe stadiumi për zhvillimin e ndeshjeve, duke i dhënë Haraçinës një hapësirë moderne për sport”, është shprehur kryetari i Haraçinës.
Beqiri ka theksuar se projekti nuk përfaqëson vetëm një investim në infrastrukturë, por edhe realizimin e një kërkese të kahershme të banorëve.
“Sot nuk po flasim vetëm për një projekt, sot po bëjmë realitet një ëndërr të shumëpritur e të gjithë haraçinasve. Haraçina meriton më të mirën”, ka deklaruar ai.
Qendra e re sportive synon të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e sportit, aktivitetet e të rinjve dhe promovimin e talenteve lokale.





