Fitorja e vullnetit të popullit në përvjetorin e dhjetë

featured
Press Online
14 Korrik 2026, 14:37

Më 15 korrik 2016, tentativa e përgjakshme për grusht shteti, e ndërmarrë nga anëtarët e Organizatës Terroriste FETO, të cilët ishin infiltruar në Forcat e Armatosura Turke, u pamundësua falë vendosmërisë, këmbënguljes, vullnetit, guximit dhe sakrificës së popullit turk, si dhe qëndrimit të palëkundur e të fuqishëm të Presidentit tanë; Populli turk mbrojti institucionet demokratike dhe qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike. Gjatë dhjetë viteve pas tentativës për grusht shteti, Turqia ka forcuar institucionet e saj demokratike dhe kapacitetin e saj qeverisës.

Kanë kaluar dhjetë vjet nga tentativa për grusht shteti e kryer në mbrëmjen e 15 korrikut 2016 nga Organizata Terroriste FETO, e cila synonte të përmbyste rendin kushtetues të Republikës së Turqisë, Presidentin e Republikës dhe qeverinë legjitime të ardhur në pushtet përmes zgjedhjeve demokratike.

Natën e 15 korrikut 2016, populli turk vuri në rrezik jetën e tij për të mbrojtur Republikën, e ndërtuar mbi parimin “Sovraniteti i takon pa kushte popullit”, si dhe qeverinë legjitime të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ndërkohë që Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë, përfaqësues i vullnetit të popullit, ishte nën sulmin e puçistëve, përfaqësuesit e partive në pushtet dhe opozitë u mblodhën në Kuvend dhe, të bashkuar, dhanë mesazhe uniteti dhe solidariteti. Në Ankara, Stamboll dhe shumë qytete të tjera, qytetarët u rezistuan anëtarëve të FETO-së, të cilët përdorën tanket, avionët luftarakë dhe helikopterët e shtetit kundër popullit. Duke dalë në rrugë, ata treguan se nuk do t’i nënshtroheshin grushtit të shtetit.

Tentativa tradhtare për grusht shteti, gjatë së cilës humbën jetën 253 qytetarë dhe u plagosën më shumë se 2 000 të tjerë, u zmbraps falë rezistencës mbarëpopullore të popullit turk, e cila konsiderohet një shembull i rrallë në historinë e demokracisë botërore. Qëndrimi i vendosur i Presidentit të Republikës, uniteti i deputetëve përtej dallimeve partiake dhe vullneti i përbashkët e qëndrimi i palëkundur i popullit në të gjitha shtresat e shoqërisë sollën fitoren. 15 Korriku është fitorja e popullit, e vullnetit kombëtar, e pavarësisë dhe e demokracisë.

Fitorja e 15 Korrikut, e cila ka hyrë në historinë e demokracisë botërore, përbën një shembull të fuqishëm të mbrojtjes së legjitimitetit demokratik përmes vullnetit të popullit. Vullneti i treguar më 15 Korrik nuk është vetëm një arritje e përbashkët e popullit turk dhe burim i vlerave e përfitimeve të përbashkëta që vazhdojnë të mbrohen edhe sot, por edhe një epope e vetëbesimit dhe e unitetit. Ai është garancia e stabilitetit afatgjatë, e pavarësisë dhe e së ardhmes së Turqisë.

Është e rëndësishme që të gjithë ta kemi parasysh se FETO-ja, fytyra e errët dhe e paligjshme e së cilës është zbardhur përmes vendimeve të gjykatave dhe rrëfimeve të bëra nga persona brenda organizatës, përbën një rrezik serioz jo vetëm për Turqinë, por edhe për strukturat demokratike dhe institucionale të vendeve ku ajo vepron.

Në periudhën pasuese, si rezultat i angazhimit gjithëpërfshirëse të zhvilluar nga institucionet tona demokratike dhe forcat e rendit, u zbatuan procedurat ligjore për pastrimin e institucioneve shtetërore, përfshirë ushtrinë, si dhe sektorin publik e privat nga FETO-ja dhe strukturat e lidhura me të. Si rrjedhojë, veprimtaria e FETO-së brenda vendit u eliminua. Duke i pastruar institucionet nga FETO-ja, Turqia ka forcuar qëndrueshmërinë e saj demokratike dhe kapacitetin qeverisës, duke u shndërruar në një shtet më të qëndrueshëm, më rezistent ndaj krizave dhe me kapacitete të larta institucionale. Me një qasje që mobilizon mundësitë vendore dhe kombëtare në çdo fushë, Turqia ka përforcuar pozitën e saj të fuqishme në arenën ndërkombëtare përmes veprimeve dhe politikave në fushat e politikës së jashtme, industrisë së mbrojtjes, ndihmës humanitare, sigurisë, teknologjisë, shëndetësisë, transportit, infrastrukturës dhe zhvillimit.

Sot, pas 10 vitesh nga tentativa e pabesë për grusht shteti, Republika e Turqisë, busulla e së cilës është vullneti kombëtar dhe sovraniteti kombëtar, vazhdon të ruajë unitetin dhe bashkimin e saj kombëtar duke ecur me besim drejt së ardhmes. Edhe në vitet që vijnë, Turqia do të vazhdojë të ketë një rol aktiv në rajon dhe në botë si një vend i përgjegjshëm, i vendosur dhe me ndikim, duke ndjekur një politikë të jashtme të bazuar në paqe, diplomaci, zhvillim, bashkëpunim, ndihmë ndaj njerëzve dhe iniciativa të reja.

Fatih Ulusoy
Ambasador i Republikës së Turqisë në Shkup
15 Korrik 2026

 Dita e 15 Korrikut është shpallur “Dita e Demokracisë dhe e Unitetit Kombëtar”, me qëllim që të mbahet gjallë në kujtesë kjo rezistencë dhe frymë e rëndësishme e luftës, e cila përfundoi me fitore.

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter