Pas ndarjes nga jeta të kryetarit të Komunës së Bërvenicës, Jovica Ilievski, Këshilli i Komunës mbajti sot (13 korrik) një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën mori vendime për vazhdimin e funksionimit të institucionit.
Me shumicë votash, bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, këshilltarët emëruan kryetarin e deritanishëm të Këshillit, Robert Millosheski, si ushtrues detyre i kryetarit të Komunës së Bërvenicës. Ai do ta drejtojë komunën deri në shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale për zgjedhjen e kryetarit të ri.
Për shkak të funksionit të ri, Millosheskit i pezullohet ushtrimi i detyrës si kryetar i Këshillit. Në të njëjtën seancë, Këshilli zgjodhi këshilltarin Mirosllav Dailovski për kryetar të ri të Këshillit të Komunës së Bërvenicës.
Nga Komuna theksojnë se institucioni do të vazhdojë normalisht punën, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimeve për qytetarët dhe realizimin e projekteve në interes të banorëve.





