Protesta e dytë e BDI-së për emrat e rrugëve në Tetovë! Kërkohet dorëheqja e Kasamit, paralajmërohen hapa të tjerë

featured
Press Online
12 Korrik 2026, 22:55

Shfuqizimi i vendimit të vitit 2007 nga Gjykata Kushtetuese për emrat e rrugëve të Tetovës, ngriti sërish në këmbë opozitën shqiptare! Me një marsh të dytë protestues, Bashkimi Demokratik për Integrim marshoi mbrëmë nga sheshi i qytetit deri te ndërtesa e Komunës së Tetovës.

Integristët kërkojnë dorëheqjen e kryetarit, Bilall Kasami, si dhe riemërimin e menjëhershëm të emrave të shfuqizuar. Kryetari i degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, tha se kishin pritur që edhe kreu i komunës të ishte pjesë e kësaj proteste.

Nga ana tjetër, duke shpërndarë një fotografi ku shihej një numër i vogël protestuesish, deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, reagoi në formë ironike duke falënderuar Tetovën për mospjesëmarrje në protestë.

Në Facebook shkroi: “Faleminderit, Tetovë! Gjithmonë je me BESE. Kjo besë na jep forcë, na mban të bashkuar dhe na obligon të ecim përpara me përkushtim, dinjitet e përgjegjësi.”

I pyetur nëse BDI-ja është e gatshme për zgjedhje të reja për Këshillin Komunal, Rexhepi u përgjigj se, paralelisht me këshillin, dorëheqje duhet të japë edhe Kasami.

Nesër në orën 10:00 pritet të mbahet seanca e 15-të e Këshillit Komunal të Tetovës. Në rend dite është propozimi i këshilltarëve të BDI-së për miratimin e 67 emrave të rinj, ku bëjnë pjesë edhe ata që u shfuqizuan nga Gjykata Kushtetuese. Sipas juristit Mersim Maksuti, nëse këshilli komunal voton sërish të njëjtët emra, atëherë Këshilli i Tetovës shpërbëhet automatikisht dhe komuna shkon në zgjedhje të reja për këshilltarë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter