1
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga takimi i tij me reperin amerikan Kanye West në ambientet e Kryeministrisë, pak para koncertit të artistit në Tiranë. Në videon dhe fotot e ndara, ai shihet duke e shoqëruar mysafirin nëpër hapësirat e godinës, duke i treguar detaje të ndërtesës dhe duke i dhuruar në fund një kopje të librit “The Albanian Files”, një botim i ri që flet për arkitekturën dhe ndryshimin e fytyrës së Shqipërisë.
Libri, me titull të plotë “The Albanian Files: Freedom and Architecture”, është redaktuar nga Anneke Abhelakh dhe është botuar në qershor të këtij viti nga shtëpia botuese Lars Müller Publishers. Ai mbledh kontribute nga gjashtëdhjetë studio arkitekturore ndërkombëtare që punojnë aktualisht në vend dhe përfshin projekte të ndryshme, nga masterplani i Tiranës 2030 e deri te ndërtesa si Vertical Forest ose Blloku Cube. Me një parathënie nga vetë kryeministri, botimi paraqet Shqipërinë si një vend që po transformohet përmes arkitekturës bashkëkohore dhe bashkëpunimeve me emra të njohur ndërkombëtarë.
Megjithatë, libri është bërë temë e nxehtë diskutimi sepse lidhet ngushtë me politikën e zhvillimit urban dhe bregdetar që qeveria ka ndjekur vitet e fundit. Për mbështetësit, ai dëshmon një vizion modern dhe të hapur ndaj botës. Për kritikët, përfshirë opozitën dhe aktivistë mjedisorë, ai pasqyron një qasje ku zhvillimi i shpejtë shpesh përplaset me shqetësime për mjedisin, transparencën dhe përdorimin e hapësirave publike. Kjo vjen pikërisht në një periudhë kur protesta kundër disa planeve për ndërtime luksoze në bregdet kanë zgjatur prej javësh dhe kanë ngritur pyetje mbi ndikimin e tyre në natyrë dhe jetën e përditshme të njerëzve.
Takimi dhe dhurata ndodhin në një moment kur edhe vetë koncerti i sotëm ka shkaktuar jo pak polemika. Qeveria ka ndarë rreth katër milionë euro nga fondet publike për të mbështetur eventin dhe ndërtimin e stadiumit të përkohshëm, një vendim që ka nxitur zemërim të madh publik. Edhe pse kryeministri e ka mbrojtur ndërhyrjen si të nevojshme për të shmangur turpërimin para vizitorëve të huaj dhe për të sjellë përfitime ekonomike, debatet mbi përdorimin e parave publike dhe profilin e artistit vazhdojnë të jenë të pranishme krahas interesit për performancën e mbrëmjes





