Kurti pas takimit me Hamzën: Ishte konstruktiv por s’kemi rezultat konkret

featured
Press Online
10 Korrik 2026, 12:37

Kryetari i VV-së, Albin Kurti është prononcuar para mediave pas përfundimit të takimit me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se me të pati një takim konstruktiv dhe me “atmosferë të vullnetit”.

“Me kryetarin Hamza u takuam së pari në këtë raund të këtyre takimeve meqenëse është edhe numri i dytë me numër të deputetëve pas Lëvizjes Vetëvendosje. E falënderoj kryetarin Hamza. Takimi ishte konstruktiv në atmosferë të vullnetit dhe interesimit për t’i dhënë institucione të reja në përputhje me vullnetin e popullit. S’kemi ndonjë rezultat konkret, të arritur që do të mund ta ndaja me publikun”.

Kurti bëri të ditur se me Hamzën ishte takuar dy herë gjatë dimrit të këtij viti, ndërsa ky ishte takimi i tyre i parë gjatë verës.

“Por në të njëjtën kohë duhet të theksoj që me kryetarin Hamza jam takuar dy herë gjatë dimrit të sivjetëm, nuk jemi takuar asnjëherë në pranverë dhe ky ishte takimi i parë në këtë verë. Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotërojë edhe në vijim dhe në përputhje me afatet kushtetuese të arrijmë që t’i konstituojmë institucionet dhe në këtë mënyrë vendit t’i japim edhe kryetar kuvendi edhe qeveri të re, kryeministër e po ashtu edhe president të ri”, tha ai.

Ai shtoi se ekziston vullnet për të ecur përpara me procesin e formimit të institucioneve dhe theksoi se tri partitë më të mëdha në vend kanë numrat e nevojshëm për këtë.

“Për bindjen time, vullneti është aty. Atmosfera konstruktive duhet të vijojë të mbizotërojë dhe në këtë mënyrë do të mund të jemi megjithatë optimist për rrugën përpara. Unë sot në pasditën e vonë do të takoj edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun dhe të shohim që si tri subjektet e mëdha të cilat së bashku kanë, le t’i mbledhim me shpejtësi, 93 deputetë, pra 53 Vetëvendosja, 22 PDK-ja dhe 18 LDK-ja, ne kemi numrin e mjaftueshëm të deputetëve që të konstituojmë të gjitha institucionet e legjislaturës së 11-të”, tha ai.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter