Abdixhiku i thotë po takimit me Kurtin

featured
Press Online
09 Korrik 2026, 18:48

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për takim të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke theksuar se LDK-ja do të jetë pjesë aktive në procesin e formimit të institucioneve të reja të vendit, raporton Ekonomia Online.

Pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore të LDK-së, Abdixhiku tha se gjatë takimit janë diskutuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe zhvillimet politike në vend.

“Sot, një ditë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror Zgjedhor, mbajtëm, siç e dëgjuat e e patë, mbledhjen e Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nëpërmjet të cilës i diskutuam edhe rezultatet e fundit zgjedhore në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit, por dhe zhvillimet politike drejt formimit të institucioneve. Tani do të dalim me një deklaratë, besoj që deklaratën do ta shihni edhe do të jetë publike, në të cilën deklaratë vlerësojmë punën dhe angazhimin e strukturave tona, vlerësojmë punën dhe angazhimin e kandidatëve tanë në procesin e fundit zgjedhor, vlerësojmë rezultatin e arritur dhe i falënderojmë të gjitha strukturat për punën e madhe që e kanë bërë. Dhe në të njëjtën kohë shprehim gatishmëri që LDK-ja të jetë pjesë aktive, aq sa mundet, brenda parimeve të veta që i ka dhe vlerave që i përfaqëson drejt formimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Abdixhiku konfirmoi se ka marrë një ftesë zyrtare nga Kurti për një takim në formatin 1+1 dhe se do ta pranojë atë.

“Unë sot kam marrë një letër-ftesë për takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, në formatin 1+1. Pra, këtë herë do të takohemi dy me dy. Dhe do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese. Besoj që kohën e takimit do ta aranzhojnë ekipet tona, por ky le të jetë një takim i parë dhe po ashtu do të provoj të takohem dhe me liderë të tjerë të partive politike, të PDK-së e AAK-së, për të parë dhe kuptuar dhe pozicionet e tyre. Në këtë fazë do ta bëj publike, për gjithë vendin, që ky është komunikimi i parë që kemi pasë deri më tani. Pra, nuk ka pasur komunikime paraprake, nuk ka pasur komunikime të tjera. Ky është komunikimi i parë zyrtar që kemi pasur që nga përfundimi i zgjedhjeve dhe prandaj s’mund të jap më tepër informacione pa u ulur në takim”, tha ai.

Ai shtoi se LDK-ja fillimisht do të diskutojë për parimet mbi të cilat do të ndërtohen institucionet e reja.

“Ne do të flasim për parime fillimisht. Pra, parimet e LDK-së tashmë janë bërë publike. I kemi bërë publike disa herë, që do të flasim për një trajtim gjithëpërfshirës të të gjitha institucioneve. Brenda kësaj gjithëpërfshirjeje të ketë balancë mes palëve që i ndërtojnë institucionet. Por do të shohim dhe dëgjojmë dhe palën tjetër se çfarë mendimi ka në këtë drejtim”, tha ai.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter