Dakordohuni, na jepni një tekst dhe ne do ta pranojmë, normalisht, me rekomandime të përfshira të OSBE/ODIHR, dhe votim të diasporës, u tha sot kryeministri Hristijan Mickoski LSDM-së dhe Të Majtës, në lidhje me ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Ai i vlerësoi reagimet e tyre si gjimnastikë politike dhe shfaqje.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas takimit me komisaren për zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, Mickoski përkujtoi se në ndryshimet është punuar me përkushtim disa muaj në kuadër të Kuvendit.
“Të gjitha grupet e deputetëve kanë punuar dhe harmonizuar tekst. Teksti u nënshkrua nga të gjithë, me përjashtim të së Majtës e cila tha – “ne jemi për këtë tekst, por nuk jemi me ju të nënshkruajmë së bashku për këtë propozim”. Tani kjo që po ndodh, ditëve të fundit, është një gjimnastikë politike dhe kjo është, supozoj, gjimnastikë për mbështetësit e tyre, por thelbi dhe e vërteta janë se ishte dakorduar dhe përfunduar derisa ai propozim nuk duhej të arrijë në Kuvend. Atëherë u paraqit partia e dytë politike, LSDM-ja, e cila tha, “nëse ata sillen ashtu edhe ne ashtu do të sillemi”. Dhe ata gjetën një arsye pse duhet të jetë kështu. Të dyja palët po përpiqen ta shndërrojnë këtë në një shfaqje në një skenë të hapur, kjo nuk më pëlqen sepse ende kemi Kodin Zgjedhor”, theksoi kryeministri.
Ai përkujtoi se në koordinimin e djeshëm në Kuvend, qëndrimi ishte i qartë – opozita të harmonizojë dhe dorëzojë një tekst, i cili pastaj do të pranohet.
“Qëndrimi ynë ishte i qartë – ju në opozitë dakordohuni, bëni një tekst dhe ne do ta pranojmë atë për të cilën do të dakordoheni. Ky është qëndrimi ynë. Dhe sot nga kjo konferencë për shtyp po dërgoj të njëjtin mesazh – dakordohuni, na jepni një tekst dhe ne do ta pranojmë, sigurisht, me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të përfshira dhe një votë nga diaspora. Këtu, siç thonë ata, ne do ta pranojmë. Vetëm le të bien dakord. Nuk kemi një tekst të dakorduar deri më sot, koha po mbaron, do të vijë mesi i korrikut, do të ishte turp të humbisnim ato fonde, pak më shumë se katër milionë euro. Pse t’i humbasim dhe të mos jemi njëqind për qind të përfunduara për të gjitha reformat që duhej të kryenim deri në fund të qershorit. Ja, tani po themi, kemi një zgjatje të vogël deri në mesin e korrikut”, nënvizoi Mickoski.


