Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Aleancës, Burim Ramadani, ka dalë me një kërkesë interesante, duke sfiduar politikanët dhe zyrtarët e qeverisë së vendit.
Ramadani ka ftuar pushtetarët që ta bëjnë narko-testin, duke treguar me anë të një videoje dhe duke paraqitur një dokument, se ai tashmë i është nënshtruar një testi të tillë.
Ai ka thënë se institucioni i duhur për luftimin e drogave në Kosovë është qeveria, prandaj sipas tij, zyrtarët e saj duhet të jeni shembull.
“Shteti ka përgjegjësi për luftimin e drogave dhe shteti ka shumë institucione për ta kryer këtë punë. Ky institucion është qeveria e Kosovës. Bëjeni narko-testin, jo se po paragjykoj diçka, por ju sfidoj që të jepni shembullin se jeni të vërtetë në luftën kundër drogave. Edhe nëse jeni të pastër, nuk është keq ta jepni shembullin…”, ka thënë Ramadani.
Ai ka thënë se vendi rrezikohet nga përdorimi dhe shpërndarja e substancave narkotike.
“Sot një prej rreziqeve serioze të sigurisë kombëtare është shpërndarja e drogave nëpër shkolla, nëpër rrugë, nëpër ambiente të ndryshme.”, ka deklaruar ai ndër të tjerash.





