Aplikacioni “Where Are You” vjen në Maqedoninë e Veriut, ndihma emergjente me një klikim përmes sistemit 112

featured
Press Online
08 Korrik 2026, 11:19

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut së shpejti do të kenë në dispozicion aplikacionin e ri “Where Are You”, i cili do të mundësojë komunikim më të shpejtë dhe më të saktë me shërbimet e emergjencës përmes sistemit 112. Një nga risitë më të rëndësishme është funksioni “Silent Call”, i dedikuar për viktimat e dhunës në familje dhe personat që ndodhen në rrezik njofton INA.

Lajmin e bëri të ditur drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, duke njoftuar se aplikacioni do t’u mundësojë qytetarëve të dërgojnë automatikisht vendndodhjen e tyre të saktë nga vendi i ngjarjes, duke lehtësuar reagimin e shërbimeve kompetente.

Përmes aplikacionit, përdoruesit do të mund të dërgojnë edhe fotografi dhe video nga vendi i ngjarjes, duke u mundësuar ekipeve të emergjencës të marrin informacion më të plotë dhe më të saktë për situatën në terren.

Një tjetër funksionalitet i ri është mundësia e komunikimit të drejtpërdrejtë me video me Qendrën Operative në raste urgjente, gjë që pritet të përmirësojë koordinimin dhe të shpejtojë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.

Risi e veçantë është funksioni “Silent Call”, i cili u dedikohet viktimave të dhunës në familje dhe personave që ndodhen në situata të rrezikshme. Përmes këtij opsioni, ata do të mund të kërkojnë ndihmë në mënyrë të heshtur dhe të sigurt, pa qenë e nevojshme të flasin me operatorin.

Nga Qendra për Menaxhim me Kriza theksojnë se me këto funksionalitete të reja vazhdon modernizimi i sistemit 112, me synimin për të rritur sigurinë e qytetarëve, për të përmirësuar shkëmbimin e informacionit dhe për të mundësuar reagim më të shpejtë dhe më efikas të shërbimeve të emergjencës.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter