Në prag të certifikimit: Konsensusi për zgjidhje të ngërçit konsiderohet vështirë i arritshëm

featured
Press Online
07 Korrik 2026, 19:42

Brenda pak ditësh pritet që të fillojë rrjedhja e afateve për formim të institucioneve: konstituim të Kuvendit, zgjedhje të presidentit e formim të Qeverisë.

Megjithatë, në terren vazhdon të mos ketë kurrfarë negociate e as takimi mes partive politike, të cilat vazhdojnë t’i mbajnë qëndrimet e tyre.

Arbërie Nagavci të martën konfirmoi që si Vetëvendosje, fillimisht presin që ta konstituojnë Kuvendin, ta votojnë qeverinë, e pastaj të flasin me partitë tjera, por vetëm për një kandidat konsensual.

Ndërsa në anën tjetër, partitë tjera parlamentare, duke konfirmuar mungesën e takimeve, vazhdojnë të insistojnë që fillimisht duhet të arrihet një marrëveshje për Presidentin.
Sipas njohësve të punës së Kuvendit, Kushtetuta nuk e specifikon se cila punë duhet të kryhet e para.

“Kushtetuta e as rregullorja nuk kanë dhënë sqarim se si mund të bëhet radhitja e formimit të institucioneve”, deklaroi Vullnet Bugaçku nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Andaj, në një situatë të tillë, ku secila palë këmbëngulë në qëndrimet e tyre, një zgjidhje shihet vështirë e arritshme, gjë që vlerësohet se mund të çojë lehtësisht në një proces të ri zgjedhor.

“Ky është paradoks: nëse i referohemi qëndrimeve publike, të gjitha ishin kundër zgjedhjeve edhe herën e kalume. Por, veprimet quan në zgjedhje të jashtëzakonshme. Aktualisht poashtu nuk shihet asnjë shteg tjetër, pos zgjedhjeve”, u shpreh njohësi i çështjeve politike, Afrim Kasolli.

“Këto shenjat e para të partive politike nuk po japin ndonjë shpresë që mund të arrihet një konsensus, as për president e as një marrëveshje më e madhe”, tha Bugaçku.

Pas certifikimit të rezultatit, Kuvendi do t’i ketë veç 30 ditë kohë për konstituim, punë e cila duhet të kryhet deri kah 8 gushti. Menjëherë pas konstituimit, sipas aktgjykimit të fundit të Kushtetueses, fillon afati 60 ditor për zgjedhje të Presidentit.

https://www.youtube.com/watch?v=oeBfp5MrzqQ

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter