Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se, sipas të dhënave të saj, niveli i kriminalitetit në vend është më i ulëti në 20 vitet e fundit, ndërsa kriminaliteti i përgjithshëm është ulur për 30 për qind gjatë dy viteve të fundit.
Në njoftim thuhet se është rritur edhe efikasiteti në zbulimin e veprave penale dhe autorëve të tyre, duke arritur në 69 për qind.
Sipas MPB-së, gjatë kësaj periudhe janë goditur më shumë se 30 grupe të organizuara kriminale, ndërsa numri i grupeve të zbuluara të lidhura me korrupsionin është rritur për 50 për qind.
Institucioni thekson se në luftën kundër trafikimit të drogës janë zbuluar mbi 1.600 vepra penale, janë kallëzuar rreth 1.900 persona, janë sekuestruar 6,2 tonë lëndë narkotike dhe janë parandaluar nëntë transporte ndërkombëtare të marihuanës dhe kokainës. Gjithashtu, sipas njoftimit, sekuestrimet e kokainës janë rritur për më shumë se 300 për qind.





