Edhe pse prej ditësh qarkullonin spekulime se dasma madhështore e Taylor Swift dhe Travis Kelce po filmohej për një dokumentar, duket se fansat nuk do ta shohin kurrë në ekran ditën më të rëndësishme të çiftit.
Sipas revistës People, Taylor Swift nuk ka asnjë plan të realizojë një dokumentar apo film kushtuar dasmës së saj me yllin e NFL-së, pavarësisht se pranë Madison Square Garden dhe gjatë ceremonisë u panë ekipe profesionale filmimi.
Lajmi ka surprizuar fansat, pasi këngëtarja është e njohur për dokumentarët që ka publikuar ndër vite, duke i lejuar publikut të ndjekë nga afër rrugëtimin e saj artistik dhe jetën pas skenës.
Taylor Swift dhe Travis Kelce kurorëzuan dashurinë të premten në New York, në një ceremoni private me rreth 1,000 të ftuar, ku morën pjesë emra të njohur të muzikës, sportit dhe kinemasë.
Çifti zgjodhi luksin edhe për paraqitjen e tyre. Fustani i nusërisë dhe kostumi i dhëndrit u realizuan nga Christian Dior Haute Couture, të dizajnuara nga Jonathan Anderson në bashkëpunim të ngushtë me Taylorin dhe Travisin.
Pamja u kompletua me këpucë të punuara me porosi nga Christian Louboutin, ndërsa Swift mbante bizhuteri ekskluzive të Cartier.
Në vend të shoqëruesve tradicionalë të nuses dhe dhëndrit, çifti vendosi t’ua besonte këtë rol familjarëve më të afërt.
Vëllai i Taylorit, Austin Swift, ishte krahu i saj i nderit, ndërsa vëllai i Travisit, Jason Kelce, qëndroi në krah të dhëndrit gjatë ceremonisë.
Një tjetër detaj që tërhoqi vëmendjen ishte fakti se ceremoninë e drejtoi aktori dhe komediani Adam Sandler, një mik i afërt i çiftit.
Pak para dasmës, përfaqësuesit e Taylor Swift zbuluan se çifti kishte vendosur ta shënonte këtë kapitull të ri edhe me një gjest human.
Ata dhuruan 26 milionë dollarë për organizata bamirëse që mbështesin kauza të rëndësishme për ta, duke e kthyer festën e tyre në një moment solidariteti.
Edhe pse kamerat ishin të pranishme gjatë gjithë organizimit, për momentin gjithçka tregon se pamjet e dasmës do të mbeten vetëm një kujtim privat për Taylor Swift dhe Travis Kelce, larg syve të publikut.





